Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, ka bërë të ditur se provimet e Maturës Shtetërore po zhvillohen në 144 qendra të përcaktuara në të gjithë vendin, sipas Rregullores së Maturës Shtetërore.
Ajo theksoi se procesi i tërheqjes dhe shpërndarjes së testeve realizohet sipas një grafiku të hartuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe të miratuar nga Komiteti i Maturës, duke garantuar sigurinë dhe integritetin e çdo hapi të procesit.
Ajo u bëri thirrje maturantëve që të respektojnë rregullat dhe të besojnë në përgatitjen e tyre, duke theksuar se ky është një proces kombëtar që synon garantimin e një vlerësimi të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.Në të gjithë vendin, mbi 26,600 maturantë kanë nisur provimet me testin e gjuhës së huaj, ndërsa më 9 qershor vijon provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, më 16 qershor Matematika dhe më 23 qershor provimi me zgjedhje.


