Kur përmend Fadil Hasën, nuk ka se si të mos të të shkojë mendja tek Muharrem Hoxha.
Për dekada me radhë, ata kanë qenë një dyshe e pandarë në skenë.
Pas ndarjes nga jeta të Hasës ditën e sotme, Muharrem Hoxha me lot në sy tha se Fadil Hasa ishte i pari që e mori për dore dhe e futi në teatër.
“Ai ishte babai im që më mësoi skenën. Sot në 11 e kishim lënë të takoheshim.
Do shkoja në shtëpinë e tij. Kam shkuar këto ditë në shtëpinë e tij dhe ishte mirë, kemi qeshur, kemi bërë humor si zakonisht.
Sot do shkoja në 11 sërish për vizitë.
Por më mori vajza e tij në telefon dhe më dha lajmin e zi, të ndarjes nga jeta.
30 vjet më parë ai humbi gruan dhe iu përkushtua tërësisht vajzave të tij dhe nipërve e mbesave.
Iu përkushtua shumë familjes pas humbjes së parakohshme të gruas, duke u bërë edhe nënë edhe babë”, tha mes lotësh “Artisti i merituar”, Muharrem Hoxha.
Edhe aktori tjetër i estradës Roland Koça tha se Fadil Hasa ishte babai i humorit.
“Humbëm babain e humorin, gjigandin e humorit. Ai që na bënte shumë për të qeshur, sot na ka mbytur në lot”, u shpreh Koça.
Po ashtu kolegia e tij, artistja e merituar Aishe Stari tha se kjo është një humbje jo vetëm për estradën por për gjithë Shqipërinë.
“Kam humbur jo vetëm kolegun por një njeri shumë të shtrenjtë, të cilin e kam pasur shok klase që në gjimnaz dhe madje për dekada me radhë kemi ndarë së bashku skenën e estradës, të teatrit.
Kjo nuk është një humbje vetëm për teatrin e Durrësit por Shqipëria humbi një aktor të madh”, tha Aishe Stari.
Me vdekjen e bashkëshortes së tij, në moshë të re, Fadil Hasa u tërhoq disi nga humori, megjithatë rolet e tij nuk harrohen duke u kujtuar brez pas brezi.