Të mbijetuarit nga zjarret në Greqi kanë treguar tmerrin që kanë parë mes flakëve dhe njerëzit që vdisnin pranë tyre, të djegur apo të mbytur nga tymi.
Agni Gantona, banor i fshatit Mati, i cili është zhdukur pothuajse krejtësisht nga harta pasi u përfshi nga zjarret në pak minuta, tha: “Ne morëm makinat dhe u nisën drejt plazhit për të hyrë në det që të shpëtonim. Hymë në ujë dhe qëndruam atje për rreth pesë orë, deri kur erdhën të na marrin varkat apo anijet e shpëtimit. Ishin në atë plazh 250 apo 300 njerëz. Disa ishin djegur, disa të tjerëve iu binte të fikët nga tymi dhe hiri. Të grupuar, në mbanim njëri-tjetrin nga dora dhe thërrisnim emrat e njëri-tjetrit sepse nuk mund të shihnim as aq afër për shkak të tymit”.
Ndërsa banorët apo pushuesit thonë se kanë parë shumë njerëz të vdesin, autoritetet thonë se identifikimi i trupave të djegur apo shformuar është një sfidë shumë e vështirë. “Puna ka nisur me identifikimin e viktimave të zjarreve, por shumica e trupave janë krejtësisht të djegur”, tha për “Reuters” Grigoris Leon, kreu i Shoqërisë Helenike të Mjekësisë Ligjore.
Ishte e paqartë se çfarë e shkaktoi zjarrin, i cili u përhap me shpejtësi në komunitete. Por disa sugjeruan se forca e erërave, zona e mbushur me pisha, zjarri dhe paniku ishte një kombinim vdekjeprurës, duke e bërë shumë të vështirë për t’u ekzekutuar planin e evakuimit. “Armagedon” ishte faqja e parë e gazetës së përditshme “Ethnos”.
Në foto paraqitej një flamur grek i djegur, që varej mes degëve të një peme të shkrumbuar.