Trishtim, të pafuqishëm, mosbesues! Këto tre ndjenja i gjen të përziera me njëra- tjetrën tek çdo francez, por edhe tek çdo qytetar i botës, të cilët është e pamundur që të mos kenë dëgjuar të paktën një herë në jetë për Katedralen Notre-Dame de Paris. Trishtim, sepse një pjesë e historisë u shkatërrua; të pafuqishëm, sepse përtej dëshirës së mirë, askush nuk mund të jepte një ndihmë sado të vogël, dhe mosbesues për atë se ç’mund të ndodhë me rikonstruktimin e Katedrales. A do t’i ngjajë ajo asaj të mëparshmes? Është kjo pyetja që kërkon një përgjigje të menjëhershme, por askush nuk di t’i përgjigjet.
Pas më shumë se 9 orësh luftë me flakët, gati 400 forca zjarrfikëse nga Parisi kanë arritur që të shuajnë plotësisht zjarrin e tmerrshëm. Fatkeqësisht, 2 policë dhe një zjarrfikës u plagosën lehtë. Megjithatë, brigada e zjarrit ka dhënë lajmin e mirë se struktura e gurtë e katedrales është ruajtur si dhe disa nga veprat kryesore të artit.Hetimet kanë përfunduar dhe është dalë në përfundimin që zjarri ka qenë aksidental.
Kryebashkiaku ka vënë në dispozicion 80 milion euro nga buxheti i shtetit që ishin parashikuar për qytetin, për rindërtimin e Katedrales, e megjithatë miliarderët në mbarë botën ka nisur të bëjnë dhurimet e para. I pari që dhuroi 100 milion euro ishte miliarderi Francois-Henri Pinault, e ndërsa pas tij, edhe pronari i Louis Vuitton dhuroi 200 mln euro, për rikonstruktimin e asaj që e quan ‘simbol të Francës’.


