Lulzim Basha ka njoftuar se do të rikthejë në PD ish Presidentin e Shqipërisë Bujar Nishani, duke e propozuar për pozicionin e ish Kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD. Në këtë mënyrë pas 22 vjetësh prishet tradita e vendosur sipas së cilës Presidentët e Shqipërisë pasi kanë lënë postin e lartë nuk i janë rikthyer më Partisë ku kishin milituar përpara kësaj, e që i kishte propozuar dhe votuar për tu ngjitur në krye të shtetit.
Po si ka qenë ky raport nga 1990 e deri më sot, pra nga Ramiz Alia dhe deri tek Ilir Meta?
RAMIZ ALIA, (30 prill 1991- 3 prill 1992) megjithëse ishte udhëheqësi i fundit komunist i Shqipërisë së Enver Hoxhës, ishte Presidenti i parë i Shqiprisë pluraliste. Pas 50 vjetësh, ai dorëzoi formalisht teserën e PPSH dhe nuk iu rikthye më politikës aktive, pasi la zyrën Nr. 1 të shtetit.
SALI BERISHA, (8 prill 1992- korrik, 1997) kryetari i të parës parti antikomuniste në Shqipëri (Partia Demokratike) dhe de facto, Presidenti i parë i pluralizmit. Gjatë kohës që drejtoi shtetin PD e drejtuan formalisht Eduard Selami dhe Tritan Shehu. Pas presidencës u rikthye në krye të partisë dhe pas 8 vitesh në opozitë (1997- 2005) u rikthye në pushtet si Kryeministër (2005- 2013) e pas humbjes së zgjedhjevevendin e tij në krye të PD e zuri Lulzim Basha, kryetari aktual.
REXHEP MEIDANI, (24 korrik 1997- 24 korrik 2002), ish deputet dhe ish Sekretar i Përgjithshëm i PS. Pasi përfundoi të plotë mandatin e parë si President i Republikës, nuk u rikthye më në jetën aktive politike pranë partisë së tij.
ALFRED MOISIU, (24 korrik 2002- 24 korrik 2007), u zgjodh si President konsensual pas marrëveshjes Nano – Berisha të vitit 2002 që riktheu paqen sociale në vend dhe ndryshoi edhe ish Kryeprokurorin dhe sheshin e shërbimit sekret.
BAMIR TOPI, (24 korrik 2007- 24 korrik 2012), u zgjodh President pas nje karriere politike si deputet e deri nr. 2 i PD. Nuk u rikthye sërisht në partinë që e propozoi dhe zgjodhi në krye të shtetit, por krijoi partinë e tij Fryma e re Demokratike, e cila nuk arriti që të siguronte pjesëmarrje në Parlament.
BUJAR NISHANI, (24 korrik 2012- 24 korrik 2017) u ngjit në krye të shtetit pas një karriere të vrullshme politike brenda PD ku përveçse ministër, u zgjodh ministër i Brendshëm dhe drejtësie. Lulzim Basha deklaroi sot rikthimin e tij në PD, ku nesër do ta propozojë për kreun e Kësillit Kombëtar, në mbledhjen e këtij forumi. Eshtë ish Presidenti parë pas Sali Berishës që prish traditën duke u rikthyer sërisht në partinë që e kishte propozuar dhe votuar për kreun e shtetit.
ILIR META, (24 korrik 2017- ) u ngjit në këtë post të lartë pas një karriere shumë të gjatë politike nga 1992 si deputet me PS ministër, zv. Kryeministër e Kryeministër. Me 2004 krijoi partinë e tij LSI dhe mbajti edhe funksione të tjera të larta përfshi Kryetar i Kuvendit. Me gjasë pas përfundimit të mandatit presidencial pritet të rikthehet sërisht në politikën aktive, si Kryetar i LSI.
Përgatiti: Alpenews.al