Ferri” në kampin ‘Al- Hol’ në Siri për 4 fëmijë dhe një grua në karrocë me rrota ka marrë fund ditën e sotme. Ato janë nxjerrë nga kampi famëkeq në Siri ku shumë shpejt pritet që t’u bashkohen familjeve të tyre. Mes të shpëtuarve është edhe Endrit Dumani, 11-vjeçari nga Dibra i cili kishte në këtë kamp 6 vite, e ndërsa motra e tij Eva, sipas burimeve për Report Tv ka refuzuar që të dalë, por motive ende të paqarta.
Gazetari i Report TV, Arsen Rusta ka zbardhur detaje të tjera nga ky operacion, i cili mësohet se ka zgjatur për plot 45 ditë. Referuar burimeve, ky operacion duhet të ishte mbyllur dy javë më parë, por pati komplikime, për pasojë u shty në kohë. Dy prej fëmijëve të shpëtuar mësohet se kanë lindur në Siri, ndërsa gruaja e cila ndodhet në karrocë me rrota ka mbetur e plagosur gjatë kohës që ka qëndruar në kamp.


