“Shtëpia e lirisë” quhet koalicioni që rikthehet 9 vjet pas marrëveshjes së parë Berisha-Meta në vitin 2013. Aleanca e sapokrijuar ka publikuar marrëveshjen për koalicionin dhe logon e re, në të cilën është parashikuar regjistrimi në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve përmes LSI-së dhe përfaqësuesve të saj.
Por si pritet të funksionojë marrëveshja e firmosur nga Monika Kryemadhi dhe Flamur Noka që tashmë i ka gati disa prej kandidatëve?
Meta zëvëndëson de facto Kryemadhin
Kur lajmëroi koalicionin me LSI për zgjedhjet e 6 Marsit, Sali Berisha nuk e fshehu faktin se ishte takuar me Ilir Metën për t’ i dhënë formë aleancës. Për herë të parë del në pah, fakti se Presidenti ka hedhur një hap jashtë institucionit që drejton, duke u përfshirë direkt në fushatën zgjedhore dhe duke marrë përsipër të luajë rolin e negociatorit dhe përfaqësuesit të partisë që e themeloi vetë në 2004.
Siç ka paralajëmruar Monika Kryemadhi, ajo do të tërhiqet nga drejtimi i partisë sapo Meta të përfundojë mandatin e presidentit. Pas deklaratës së Berishës, kuptohet se Meta nuk ka pritur më për ta bërë fakt të kryer, marrjen e frenave në LSI.
Ndaj, pavarësisht se në marrëveshje është firma e Monika Kryemadhit, de facto, marrëveshja është firmosur nga Ilir Meta.
Hija e Bashës në marrëveshje
Në marrëveshjen e koalicionit mes Komisionit të Rithemelimit me LSI dhe PDK, ka një fjali ku thuhet se “Ka vetëm një njeri përgjegjës për dështimin e Shqipërisë në 8 vitet e fundit dhe ky është Edi Rama”.
Që koalicioni Berisha-Meta është kundër Edi Ramës kjo është e qartë, por brenda garës për bashkitë, ka një garë tjetër për të cilën flitet më pak, por është me po aq interes. Është lufta brenda llojit, që nisi me shpalljen non grata të Berishës, vazhdoi me përplasjen e dhunshme në 8 Janar dhe vazhdon ende sot në gjykatë.
Duke qenë se mungon një pikë referimi për mbështetjen që ekziston mes demokratëve për Berishën apo për Bashën, 6 Marsi shihet si dita kur do të dalë rezultati i parë me votë që do të tregojë mbështetjen që ka njëri apo tjetri.
Kandidatët nga primaret, por LSI e para e koalicionit
Si Berisha, ashtu dhe Meta kanë bërë disa lëshime për t’i dhënë formë simbiozës politike të 6 Marsit. Në marrëveshje, mes të tjerash shkruhet se “Partia udhëheqëse e koalicionit, sipas parashikimeve të nenit 65 e vijues të Kodit Zgjedhor është partia Lëvizja Socialiste për Integrim”. Afërmendsh, selitë e LSI-së dhe degët e saj do të përdoren nga koalicioni i përbashkët në zgjedhjet e 6 Marsit duke i dhënë LSI-së një rol të veçantë në koalicion, sipas specifikave të çdo qyteti.
Në anën tjetër, LSI ka bërë një hap pas për emrat e kandidatëve në garë. Pasi zhvilloi një proces zgjedhjesh brenda mbështetësve, Berisha zgjodhi 6 kandidatë për garën e 6 Marsit duke mos lënë asnjë mundësi konkurimi nga partia e Ilir Metës. I vetmi që mund të ketë ndikim të dyfishtë është Premtim Kryemadhi i Dibrës, që tha se ishte i afërt i Monika Kryemadhit.
Më poshtë, marrëveshja e koalicionit “Shtëpia e lirisë”