Bashkia e Tiranës nisi rikonstruksionin e plotë të aksit rrugor nga mbikalimi i Shkollës Teknologjike në Kombinat si hyrja e katërt e kryeqytetit
Gjatë inspektimit të punimeve kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se ky investim do t’u vijë në ndihmë jo vetëm banorëve të Njësisë 6, por edhe automjeteve që vijnë nga jugu apo perëndimi, që do të përdorin rrugën nacionale nga Ndroqi, e cila gjithashtu do të rikonstruktohet
Erion Veliaj: Duke harmonizuar dy projektet, pra projektin e hyrjes nga Kombinati me projektin e Ministrisë së Transporteve për rrugën e Ndroqit, i kemi dhënë edhe një valvul shkarkimi qytetit. Siç e shikoni, zona është prekur nga disa investime. Kemi përfunduar investimet në shkolla, kopshte dhe çerdhe në fillim. Kemi sistemuar totalisht varrezat e Sharrës, të cilat sot është një hapësirë shumë më dinjitoze, për të treguar se jemi qytet me vlera, ku respektojmë edhe ata që nuk jetojnë më, por që kanë kontribuar në qytetin tonë.
Veliaj tha se edhe ky aks do të ketë në të dyja krahët korsi të dedikuara për biçikletat
Erion Veliaj: Rruga nga qendra e Kombinatit deri në qendër të Tiranës me korsi të dedikuar nuk do të shkojë më shumë se 3-4 minuta. Kjo do të thotë se edhe për efiçencë të kohës do të jetë mënyra më e mirë për të lëvizur nëse dikush është i ri ose nëse dikush ndihet mirë fizikisht mund të përdorë fare mirë biçikletën”
Krahas aksit kryesor, po vijojnë punimet edhe në rrugët dytësore, për një rrjet të plotë të rrugëve të asfaltuara në zonë.


