Katedralja e Parisit, Notre-Dame është rihapur këtë të shtunë (07 dhjetor 2024), pas 5 vitesh pune të pandërprerë për rindërtimin dhe restaurimin për dëmet e shkaktuara nga zjarri shkatërrues i prillit 2019.
“Notre Dame, model i besimit, hapi dyert për të bashkuar në gëzim fëmijët e Zotit”, tha ai, duke goditur portën me një shkop druri të punuar nga një tra i çatisë së katedrales që i mbijetoi zjarrit pesë vjet më parë.
Në fjalimin e tij para të ftuarve specialë në ceremoni, presidenti Macron shprehu mirënjohjen e Francës për vendet, organizatat dhe individët që kontribuan për rikonstruktimin e katedrales 861-vjeçare.
“Kemi rizbuluar se çfarë mund të bëjnë kombet e mëdha: arrijnë të pamundurën”,-tha Macron.
“Ne duhet ta vlerësojmë këtë mësim të brishtësisë, përulësisë dhe vullnetit dhe kurrë nuk duhet të harrojmë se sa vlen secili person dhe se madhështia e kësaj katedraleje është e pandashme me punën e të gjithë juve”, shtoi presidenti francez gjatë ceremonisë.
Para ceremonisë, presidenti i zgjedhur Donald Trump mbërriti në pallatin Elysee, ku fillimisht zhvilloi një takim “kokë më kokë” me kreun e shtetit francez. Pak minuta më pas, në pallatin presidencial mbërriti dhe presidenti Volodymyr Zelensky, duke zhvilluar një takim të përbashkët me dy liderët perëndimorë.
Pas takimit trepalësh, Zelensky tha përmes një postimi në rrjetin social “X”, se presidenti i zgjedhur amerikan ishte konsistent në qëndrimin e tij lidhur me agresionin rus ndaj Ukrainës.
Pothuajse 170 peshkopë nga Franca dhe të huaj, së bashku me priftërinj nga 133 famullitë e dioqezës së Parisit morën pjesë në ceremoninë e rihapjes. Rihapja e Notre Dame ndodhi në kohën kur bota po përballet me trazira, me luftëra në Ukrainë e Lindje të Mesme. Për të krishterët dhe për udhëheqësit e Notre Dame, ceremonia e rihapjes do të përçojë simbolin e unitetit dhe shpresës.
Për shumë, rihapja e Notre Dame nuk është vetëm një arritje e Francës, por e botës, teksa katedralja pritet të mirëpres 15 milionë vizitorë në vit, nga 12 milionë sa kishte pritur para zjarrit të madh.
Pas zjarrit të vitit 2019, shumë shpejt u mblodhën pothuajse 1 miliard dollarë donacione nga e mbarë bota, duke dëshmuar se Notre Dame është një monument që tërheq vëmendjen e gjithë botës.


