Pas numërimit të votave të subjekteve politike në Qarkun e Lezhës po vijohet me numërimin e votave të kandidateve. Deri tani janë numëruar 107 qendra votimi nga 249 që janë gjithsej, ku më i votuari i listës së PD rezulton të jetë Mark Marku me 3559 vota preferenciale i ndjekur nga Agron Gjekmarkaj duke marrë 1858 vota deri tani. PD ka mundur të marrë në këtë qark 4 mandate.
Ndërsa PS ka mundur të sigurojë 3 mandate, ndërsa gara është e fortë mes socialistëve. Surprizë në votat preferenciale është se Gentjan Malotaj, i cili renditet i katërti rezulton barazim me vota preferenciale me drejtuesen e qarkut Lindita Nikolla, duke marrë nga 3251 vota secili. Më pas renditet Eduart Ndreca me 3104 vota.
Edhe pse nuk arriti të merrte asnjë mandat në qarkun e Lezhës, në listën e LSI më i votuari është i pari i saj, Viktor Tushaj duke marrë 1417 vota preferenciale deri tani.
Në Lezhë kandidonte edhe Jozefina Topalli e para në listën e Lëvizjes për Ndryshim, por edhe pse është numëruar gati gjysma e qendrave të votimit, ajo ka mundur të sigurojë vetëm 34 vota.


