Rrallë ambjente të tjera ende në këmbë, e gëzojnë në Shqipëri, statusin e dikurshëm të “Kafes së Madhe” në Shkodër.
At Gjergj Fishta citohet që të ketë rrëfyer sesi një malësor kishte kursyer gjithë jetën, veç për të pirë një kafje atje, përpara se të ikte nga kjo botë.
E kur besoi se i kishte bërë paret e duhura, zbriti në qytet dhe pyeti kamarierin sa kushtonte kafja. Kur e mësoi çmimin, i tha: Veç filxhanit tim, a i bën edhe kalit, një kovë?!
Projektuesi i saj është i famshmi Kol Idromeno dhe themelet u hapën në vitin 1920. “Kafja e Madhe” u shndërrua në qendrën e universit të elitës kulturore, politike dhe ekonomike të Shqipërisë së Zogut.
Plot 81 vjet nga sot, në vitin 1938, përpara saj, është fiksuar një foto historike, ku janë sëbashku: Gaqo Tashko, Lola Gjoka, Ernest Koliqi, Dom Nikoll Koliqi, Tefta Tashko, Aleks Stavre Drenova (Asdreni), Lasgush Poradeci, Gjergji Canco dhe Koço Tashko.
Kaq mjafton për të kuptuar rëndësinë e një “institucioni”, jehona e të cilit rrezaton edhe sot.
/Marrë nga Alfred Pez@, blogu personal


