Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile u ka bërë thirrje bashkive të Shkodrës, Lezhës, Kukësit, Vlorës dhe Gjirokastrës që të marrin masa në lidhje me reshjet intensive të shiut që pritet të bien në këto qarqe gjatë orëve në vijim.
Lajmi është bërë publik përmes një postimi në facebook nga Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili u kërkon gjithashtu bashkive në fjalë që të marrin masa për të shmangur përmbytjet dhe rrëshqitjen e dherave.
“Duke marrë në analizë modelet e fundit të hartave meteorologjike, pritet që mbi vendin tonë në orët në vijim në qarqet Shkodër, Lezhë, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, të ketë reshje intensive të cilat mund të sjellin vërshime të përrenjve dhe lumenjve të vegjël dhe përmbytje në zonat urbane.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile i bën thirrje pushtetit vendor të marrë masat e nevojshme për t’u paraprirë përmbytjeve apo rrëshqitjeve të dherave.
Ne do të jemi në monitorim të vazhdueshëm të të gjitha situatave që mund të krijohen, duke garantuar ndihmë të menjëhershme në çdo rast emergjence”, shkruan Peleshi në facebook.