E shtunë në mbrëmje. Rrezet e fundit të diellit rrëshqasin ngadalë mbi fasadën e Teatrit Kombëtar. Në shëtitoret e qendrës historike është koha e xhiros, shëtitja e mbrëmjes, ndërsa bisedat zhvillohen në kafene. “Për mbrojtjen e pasurisë kulturore të Tiranës!” Nga një stendë e vogël e vendosur pranë teatrit, disa të rinj vullnetarë u bëjnë thirrje kalimtarëve, shpesh të paditur mbi situatën, dhe u propozojnë atyre të firmosin një peticion.
Që prej disa javësh sallat historike të shfaqjeve janë përsëri në pritje për fatin e tyre. Fillim shkurti, Kryeministri Edi Rama shpalli shkatërrimin e radhës, së godinës historike të teatrit dhe ndërtimin e një teatri modern nga një zyrë “prestigjioze” arkitektësh danezë. “Që prej njëzet vjetësh ai do ta marrë këtë vend, mendoj se e ka personale!” Me cigare në dorë dhe t-shirt me jakë V, Neritan Liçaj i përket brezit që debutoi në skenë pak pas rënies së diktaturës.
Aktori i Teatrit Kombëtar kujton “betejat e vazhdueshme për respektimin e ligjit” që janë bërë, duke përmendur përpjekjet e mëparshme të Edi Ramës për ta zhvlerësuar teatrin, fillimisht si ministër Kulture (1998-2000) e më pas si kryetar Bashkie i Tiranës (2000-2011). I shpallur pa konsultime paraprake me aktorët kryesorë të jetës kulturore, projekti ka ngjallur polemika.
Dëshira e hershme e Kryeministrit për ta bërë Tiranën një vend artistik modern dhe tërheqës shoqërohet me dyshime për korrupsion, i përforcuar nga prezantimi i idesë së partneritetit publik-privat (PPP). “Edi Rama do t’i kthejë favorin një biznesmeni që e mbështeti në fushatën e tij të fundit elektorale”, vë në dukje Neritan Liçaj. Në kulmin e debatit për ndërtimin e kullave të reja në kryeqytet, shkatërrimi i mundshëm i një prej vendeve të fundit të qendrës është shqetësues. “Edhe unë e dua një teatër modern, por nuk dua që ai t’i jepet privatit!!”, thotë me zemërim Neritani.
Ndërtesë “jashtë të gjitha standardeve (…) që rrezikon të shembet”, sipas Kryeministrit, Tetari Kombëtar, i ndërtuar përgjatë pushtimit italian, tashmë ka mbështetësit e tij. Që prej tre muajsh Aleanca për mbrojtjen e Teatrit organizon takime javore për të mbrojtur kauzën e godinës së vjetër. Një grup që gjallohet me vendosmëri nga Alida Karakushi, militante e palodhur e shoqërisë civile. “Është skema klasike e korrupsionit, njëlloj si kur demokratët donin të shkatërronin Piramidën. Ata pretendojnë se teatri është në gjendje të keqe, por në fakt janë ata që e kanë lënë të degradohet”, thotë ajo me keqardhje. Trashëgimia dhe hapësirat publike të qytetit po zhduken njëra pas tjetrës.
Teatri është një nga dëshmitarët e fundit të historisë së kryeqytetit. “Nuk është vetëm mungesa e transparencës rreth këtij projekti që na shqetëson, por humbja e identitetit të Tiranës”, vazhdon ajo. “Trashëgimia dhe vendet publike të qytetit po zhduken njëri pas tjetrit. Teatri është një nga dëshmitarët e fundit të historisë së kryeqytetit, ai ka njohur fashizmin, komunizmin, janë vrarë intelektualë para dyerve të tij në pragun e lirisë …” Pas shkatërrimit të stadiumit apo rinovimit të plotë të sheshit “Skënderbej”, shumë qytetarë ndihen gjithnjë e më shumë të humbur përballë transformimeve në zemër të qytetit të tyre.
“Në qendër godinat e vetme që kanë mbijetuar janë ato të qeverisë dhe të bankës! Gjithë pjesa tjetër i është dhënë oligarkëve”, thotë e indinjuar Alida. Opozitarët nuk e kanë gëlltitur dot faktin që Teatri Kombëtar është hequr nga lista e monumenteve të mbrojtura. Për të respektuar ligjin, aktivistët e Aleancës kërkojnë mbështetjen e atyre që i shkruajnë ato. Këtë të hënë maji në mbrëmje salla “Molière” e Teatrit Eksperimental u mbush me deputetë të ardhur për të dëgjuar ankesat e artistëve dhe qytetarëve të angazhuar. Megjithëse të ftuar, bie në sy mungesa e të zgjedhurve të maxhorancës socialiste. Figura karizmatike e skenës shqiptare, Robert Ndrenika, bën apel për të mbrojtur “Jérusalemin” e Tiranës, në të cilin lindi dhe u zhvillua skena teatrore e vendit.
Ai u prit me ovacione. Politika ka qenë gjithmonë e pranishme në skenën shqiptare. Regjisori Laert Vasili, i cili ka qenë viktimë e dhunës raciste të neonazistëve grekë “Agimi i Artë”, është pjesë e trupës së Teatrit Kombëtar. Nga të rrallët artistë që është shprehur në favor të teatrit të ri, ai denoncon interesat e paevitueshme politike që fshihen pas protestës. “E shihni atë ndërtesë? Ajo është ndërtuar kur demokratët ishin në pushtet dhe ajo goditi rëndë themelet e teatrit. Të njëjtët njerëz që sot protestojnë, nuk thanë asgjë në atë kohë…”
Njeriu i teatrit shqiptaro-grek, i rritur në skenën helene, nuk do të krahasojë situatën e artit të gjashtë në Shqipëri dhe Greqi që për të ndryshon si “nata me ditën”. Por gjërat duhet të ndryshojnë. “Nuk mbështes një projekt të veçantë, por dua një teatër të ri! Në një qytet me një milion banorë si Tirana do të duheshin të paktën mbi dhjetë teatro!” Ndërkohë që shumë pak aktorë guxojnë të flasin publikisht për këtë temë, ai sqaron situatën aktuale.
“Gjithçka është politikë në Shqipëri, është një vend i vogël dhe të gjithë njihen me njëritjetrin. Shumë e kanë fituar vendin e tyre të punës nga lidhjet që kanë me klasën politike”. “Me zemër janë me ne, por ata kanë frikë”, pohon Neritan Liçaj. Të detyruar të rinovojnë kontratat e punës çdo gjashtë apo dymbëdhjetë muaj, aktorët janë viktima të presionit të drejtuesve të teatrit. Qëllimi fillestar i krijimit të Aleancës ishte mbështetja ndaj artistëve, por u pa gjithashtu si një mundësi për të zgjeruar kërkesat përtej çështjes së teatrit dhe për të kërkuar, për shembull, rritjen e buxhetit të kulturës, një nga më të dobëtit në kontinent.
“Me shaka ne themi se është 0,000%… Dhe gjëja më ironike në këtë histori është se ne kemi frankofilë në qeveri, që vlerësojnë të veçantën e politikës kulturore franceze. Por me sa duket ata nuk e kanë kuptuar se për çfarë bëhet fjalë”, tha Neritan Liçaj. Sipas aktorit, e ardhmja e teatrit është optimiste. “Në fund ne do të fitojmë”, siguron ai. Pasi u propagandua me të madhe “projekti” i ri i teatrit që do të ndërtohej me PPP, përfundoi vetëm si një “ide”.
Është një sukses tashmë i Aleancës që shpreson të arrijë restaurimin e Teatrit aktual. Alida do të donte që ai të bëhej një shembull për betejat e tjera që janë në vazhdim, si ajo për mbrojtjen e lumenjve të vendit. “Ikonat e teatrit shqiptar janë mobilizuar duke mediatizuar kështu përplasjen. Mbrojtja e së mirës publike është e rëndësishme sepse, sa më pak vende që na bashkojnë, që na mbajnë të lidhur së bashku të ketë, aq më pak arsye do të ketë për të reaguar”.
Përktheu: Robert Budina (https://www.courrierdesbalkans.fr/+-Albanie-+)