• Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
AlpeNews
  • 6 June, 2026
AlpeNews

Tirana, Albania

6 June, 2026
  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Follow
    • Facebook
    • Twitter
    • Youtube
    • Instagram
  • Drejtësi
  • Kronikë
  • Media
  • Reportazh
REPORTAZH/ Nga Monika Shoshori Stafa: E HUMBUR NË STASILAND
Home
Aktualitet
Reportazh

REPORTAZH/ Nga Monika Shoshori Stafa: E HUMBUR NË STASILAND

19 November, 2017 Redaktor2 Aktualitet, Reportazh

REPORTAZH/

Është gati mbrëmje kur mbërrij në Berlin. Pas një tramvaji të shpejtë i gjithë grupi i shqiptarëve i përzgjedhur nga fondacionet gjermane që merren me të kaluarën në vendet ish-komuniste, si Fondacioni Federal për studimin e regjimit diktatorial në Gjermaninë Lindore dhe Fondacioni Konrad Adenhauer, vendoset sipas programit të parashikuar i gatshëm fort për të nisur festimin e mirëseardhjes me miqte gjermanë. Sa herë qëndroj në këtë qytet kam ndjesinë se këtu përkohshmëria është kristalizuar në një përjetësi të kërthët, deri diku në ngërdheshjen e një tiku nervor të vazhdueshëm. Që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore kanë kaluar 72 vjet e që nga rënia e Murit që ndau jo vetëm një komb e një vend por dhe një kontinent të tërë, nuk kanë shkuar më shumë se 28 vjet. Këtu ku ne jemi ndalur, pikërisht në rrugën Leipziger Strasse 50 të metropolit gjerman, atëkohë të murit, avionët e shoqërisë ajrore gjermano- perëndimore nuk mund të uleshin asesi; ushtarët amerikanë, anglezë, francezë e rusë të lindur njëzet vjet më vonë se përfundimi i luftës bënin roje sikur të kishin ardhur dje mbi rrënojat e Rajhut të Tretë. Kish ndryshuar gjeografia politike e kontinenteve, kishin rënë perëndi shekullore, kishin ndryshuar zakone e vlera, ishin përvijuar ndryshime antropologjike rrënjësore, laboratorë dhe praktikantë shtriganë kishin premtuar me kërcënim të krijonin lloje të reja qeniesh të gjalla. Kultura gjermane u tregua megjithatë e madhe për forcën e kthjellët me të cilën pat denoncuar ndarjen e individit dhe të shoqërisë, atë proces të zvetënuar që e rrafshon njeriun duke i dhënë një rol njëdimensional, duke e detyruar të jetë vetëm një pjesë e makinës sociale, duke e penguar që të zhvillojë plotësisht personalitetin e tij dhe duke e shndërruar kështu shoqërinë, në një bashkësi qeniesh të cunguara.

Këtu në këtë pjesë të Bërlinit Lindor përjetoj fundin e hirtë të spektrit: ndërtesa gri, tokë gri, zogj gri po aq dhe pemë gri. Jashtë, qyteti dhe pastaj fshatrat rrotull përgjatë udhëtimeve të ditëve në vazhdim, më shfaqen në një sfond bardhë e zi. Nata që shkoi më la mbresën e një mjegullimi të tymtë. Ndërsa eci drejt muzeut të Stasit më vjen ndër mend kjo situatë paradoksale e qytetit që pat qenë një dhe disa vite pas luftës më shumë se një. Dikush aty që na shoqëron e përshkruan RDGJ-në, si një romancë tmerri ku shtëpitë prej syve shfaqeshin të rrënuara dhe njerëzit plotësisht të hutuar. Kjo ndjesi ka nevojë për një fjalë të përngjitur…është një ndjesi  heshtur e që askush prej të pranishmëve nuk don ta zgjojë. Romanca vjen nga ëndrra për një botë më të mirë, që komunistët gjermanë donin ta ndërtonin nga hiri i së kaluarës së tyre naziste: secili sipas aftësive, secili sipas nevojave. Tmerri vjen nga ajo cka ata bënë në emër të asaj ëndrre. Në institucionin që parlamenti gjerman e ka ngarkuar me detyrën e hapjes së dosjeve të krimeve të komunizmit – dosjeve të përndjekjes politike, që do të thotë të policisë së fshehtë, Stas, “Staatssicherheit”, fjalë për fjalë Sigurimi i Shtetit, njësoj si në Shqipëri, duket qartë se rishikimi i së kaluarës është institucionalizuar. Ky institucion ka ofruar vullnetarisht ndihmën, konsulencën, përvojën e tij për Shqipërinë që prej fillimit të mijëvjeçarit të ri. Vullnetarisht dhe me këmbëngulje. Ndoshta sepse Gjermania dhe Shqipëria kanë pasur një histori paralele: të ndarë në dy shtete, policia politike e tyre i ka përdorur gjermanët kundër gjermanëve dhe shqiptarët kundër shqiptarëve, Lindjen kundër Perëndimit dhe anasjelltas. Prej fotove në muze dallojmë se Gjermania Lindore ngjan si një kopësht i fshehtë i rrethuar me mur, një vend i humbur në kohë. Më kujtohen gjëra që nuk i kam kujtuar më parë, gjëra të cilat nuk kishin dalë kurrë nga rezerva e sistemuar e kujtesës. Janë ato që më sjellin në mendje të kaluarën. Sinapset e shkatërruara rindërtohen vetë nganjëherë duke humbur udhët e tyre të vjetra dhe duke bërë lidhje të reja të cuditshme. Kujtoj sytë e butë jeshil të nënës sime në rrezen e diellit, kujtoj ndjesinë e ngutshme të atit tim për të më rritur shpejt, kujtoj erën e disa rrobave të harruara të tij diku në një paradhomë të shtëpisë. Dhe sakaq ti mendon se të kaluarën tënde e ke arkivuar me nëntituj të subjektit por jo, e vërteta është krejt ndryshe. Ajo gjithmonë pret diku për t’u rishfaqur. Isha rritur me ‘kutizën e njëmijë pyetjeve’ në kokë, sic do ta cilësonte im atë kërshërinë time jo vetëm subjektive para botës. Në librin e saj mbi Stasin dhe jetët njerëzore të përshkruara aty, Ana Funder shkruante se dikur asokohe, njerëzit që e njihnin qytetin mund të merrnin shtigje të fshehta që prisnin shkurt midis ndërtesave ose të ecnin përgjatë rrugicave të pashënuara ndërmjet secilit bllok, duke lëvizur mbi tokë dhe nëntokë për tu arratisur. E ja që liria fitohej, por në shumtën ë rasteve jo gjithmonë. Sakaq veten e gjeta të humbur. E shkëputur nga grupi mes përplasjes së ngjarjeve unë kisha humbur krejt. Po kërkoja muzeun e Stas-it, ose ndërtesën me bojën e përhimtë ku më parë kishin qenë zyrat qendrore të tij. Doja të shihja me sytë e mi një pjesë të aparatit të stërmadh që kishte qenë Ministria gjermano-lindore e Sigurimit të Shtetit. Po cfarë kisha lexuar për Stasin sigurisht nuk qe një kërkim i plotë. Si vizitore e hershme e tij, kisha mësuar se Stasi ishte ushtria e fshehtë me të cilën qeveria ushtronte kontrollin. Puna e tij ishte të dinte cdo gjë për cdo njerin, duke përdorur cdo mjet që e zgjidhte vetë. Ai e dinte se kush të kishte ardhur për vizitë, dinte kujt i kishe telefonuar, madje dinte edhe nëse gruaja jote të tradhtonte. Ishte një aparat burokratik që i kishte shtrirë metastazat në të gjithë shoqërinë gjermano-lindore, i dukshëm ose i maskuar. Gjendej gjthmonë dikush që i raportonte Stas-it për miqtë dhe shokët e tu në cdo shkollë, në cdo fabrikë, në cdo bllok apartamentesh, në cdo pijetore. Megjithatw maniak pas hollësive, Stasi dështoi tërësisht për të parashikuar fundin e komunizmit dhe bashkë me të, edhe fundin e një Gjermanie të ndarë. Ndërmjet viteve 1989 dhe 1990 gjithcka u përmbys; nga njësi e spiunëve stalinistë një ditë, në një muze madhështor në ditën tjetër. Në dyzet vitet e saj, Stasi prodhoi ekuivalentin e të gjitha dokumenteve në historinë gjermane që nga kohët e Mesjetës. Të vendosura vertikalisht dhe puqur me njëra -tjetrën, dosjet e Stas-it, të ruajtura të kriptuara për bashkëvendasit e vet, do të formonin një varg të gjatë kilometrash që do t’i kalonin të dyqintat tw paktwn vetwm pwr njw qytet, më pat thënë atëherë një ekspert i dosjeve. I bluaja këto informacione në kokë ndërsa pyesja me padurim cdo kwnd qw takoja se ku gjendej rruga që conte drejt godinës së spiunëve, Ruschestraße 103, Haus 1. Bënte ftohtë por padurimi për të vrapuar rrugëve berlineze, nuk e fsheh, se më gëzonte pamasë. Ah, ja tek është! Më në fund, sa e madhe duket! Një palë shkallë të conin drejt dyerve të mëdha dykanatëshe të blinduara me sumbulla metalike mbi to. Vendasit kujtojnë se më parë në hyrje të saj, varej një pllakë ku shkruhej “Ministria e Sigurimit të Shtetit” ose dicka e tillë. Ishte hequr me një lloj gazmimi të frikshëm gjatë revolucionit dhe nuk ishte parë më, që atëherë. U enda pak nëpër ndërtesë. Të gjitha tryezat në pavionët e saj, ishin po ashtu sic ishin lënë natën kur demonstruesit e pushtuan godinën – krejt të zhveshura. Mbi secilën prej tyre kishte cifte telefonash me disqe. Aparatura copë –copë qenë hedhur përmbys në disa dhoma pas shembjes, në përpjekjen e fundit të dëshpëruar të Stasit për të shkatërruar dosjet më të mallkuara. Dikush, më tha se mbi njërën nga tryezat ato ditë të fundit të ikjes së tyre, gjendej dhe një kalendar i vitit 1989 me fotografinë e një gruaje të zhveshur nga mesi e lart, por në mure kishte kryesisht simbole komuniste. Ah, mendova, në nënvetëdije të shkretët spiunë me sa duket i besonin Nices dhe Vagnerit, pa cka se në jetën reale ruanin jetët e të tjerëve. Me gjithë orvajtjet më të mira për ta mirëmbajtur, godina dukej e lagësht dhe burokratike. Në anën e majtë të pavijonit të ekspozesë së fotove të saj, nuk më shqitej nga sytë një fotografi e stërmadhe. Ajo tregonte një det me njerëz që mbanin qirinj në duar, me qafat e zgjatura drejt ndërtesës së Stasit duke vështruar kontrollorët e tyre në fytyrë. Ata e dinin se pikërisht këtu jetët e tyre vëzhgoheshin, manipuloheshin dhe nganjëherë rrënoheshin. Përbri ishin ekspozuar edhe kopje të telefakseve që dërgoheshin me një tërbim të shtuar nga këtu, zyrat qendrore të Stas-it, zyrave të tjera në qytetet e Gjermanisë Lindore.

Mistere të mëdha  të vogla u raportuan pasi u hapën dosjet. Jo më pak të mistershme ishin, ndoshta, gjestet e njeriut të zakonshëm në rrugë. Ndërsa shihja me vëmendje gjithë hullinë e dokumenteve të ekspozuara apo jo në muzeun e ish Ministrisë së Sigurimit të Shtetit përfytyroja baletin e shurdhmemecëve në rrugë: agjentë që i dërgojnë sinjale njëri –tjetrit nga qoshja në qoshe që prekin hundët, barqet, shpinat dhe flokët, që lidhin dhe zgjidhin lidhëset e këpucëve, që ua ngrenë kapelen të huajve dhe që shfletojnë letrat në canta, një koreografi për informatorë tejet të ligj, malinj e po aq të pushtetshëm, edhe përtej Zotit vetë. Në njërin prej ekspozeve, syri më zuri një letër të shkruar me dorë. Po e kqyrja atë kaq e përqëndruar teksa një grua sakaq më qe afruar. Ngjante si një variant femëror i Luterit. Përvec që ishte e bukur, me mollëza të dala dhe një vështrim të drejtëpërdrejtë ajo dukej se nuk i kishte kaluar të pesëdhjetat. Dukej miqësore e gjithashtu me sa duket e kishte kuptuar që unë po tallesha në mendjen time me një regjim që u kërkonte shtetasve të vet të nënshkruanin garanci besnikërie që ngjanin si certifikata martesore; që konfiskonte kartolinat e ditëlindjeve që fëmijët ua dërgonin gjyshërve; dhe që shkruanin protokolle të pakuptimta në tryeza poshtë kalendarëve me gra gjoksmëdha. Kjo ishte frau Troster, që kujdesej për muzeun. Frau Troster më shpjegoi se ajo letër ku isha përqëndruar ta deshifroja ishte pikërisht një letër garancie për besnikërinë që qytetari X i nënshkruante Stas-it. Pak më vonë ajo më tregoi dhe një histori gruaje, bashkëshorti i së cilës kishte vdekur teksa mbahej i arrestuar në një qeli të Stas-it, aty pranë. Atëherë rrëfente ajo, u hap fjalë se Stasi e kishte orkestruar vetë funeralin deri në atë pikë sa e zëvendësoi arkivolin e zbrazët me një të plotë dhe e dogji kufomën për të shkatërruar cdo dëshmi të shkakut të vdekjes. Pas kësaj përpiqesha ta merrja me mend se cfarë do të thotë të mos dish nëse bashkëshorti yt vari veten apo nëse dikush me të cilin, ti shkëmbehesh në rrugë e vrau atë.

Epilogu

Mitin e kujtesës në Gjermani nuk e sheh vetëm në zyra të ndorimit të burimeve të shkruara, në institucione por edhe në trotuare. Kudo ka shenja për njerëz e ngjarje të kohës së luftës e të pasluftës, të periudhës së ndryshimeve politike. Vetë muri i Berlinit është kthyer në kujtesë materiale, gati-gati në bizhuteri. Vendësit na thonë se gjithë muri i Berlinit tanimë është shitur, ndoshta është shitur dhe për herë të dytë a të tretë. Megjithatë, te portat e Brandenburgut vazhdimisht ka turistë që blejnë gurin historik, megjithëse e dinë se ai i Berlinit ka mbaruar. Në Berlin nuk mund të thuash se e ke parë sadopak të shkuarën pa vizituar murin, ku mund të njihesh me tmerre të përbindshme: gra shtatzëna që janë hedhur nga kati i tretë për të kaluar në “Gjermaninë tjetër”; të rinj e pleq që kanë humbur gjysmën e familjes për të kapërcyer kufirin, dënime makabre për tentuesit e arratisjes. “Lufta e ftohtë” me sa duket këtu ia ka kaluar kloneve shqiptare. Por, ndryshe prej Shqipërisë, ku sot është vështirë të gjesh jo një copë nga telat e elektrizuar të klonit, por dhe shenjat e piramidave vetë, në Gjermani tmerret e murit që ndau një popull në dy shtete e dy kampe njëherësh, mund t’i shohësh të certifikuara në foto, shkresa të panumërta, gazeta, deri dhe në imazhe të filmuara që ndoshta janë produkt i kamerave të sigurisë, që shteti i blinte për të mbikëqyrur murin.

 

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article TIRANE/ Tregjet publike të Bashkisë bosh, tregtarët shesin akoma në rrugë
Previous article Ahmetaj kritika ambasadorëve: Në 4 vjet s’keni sjellë asnjë investitor

Redaktor2

Postime të ngjashme

FOTOLAJM/ Ambasadori i BE, Silvio Gonzato shfaqet mes protestuesve Aktualitet

FOTOLAJM/ Ambasadori i BE, Silvio Gonzato shfaqet mes protestuesve

PROTESTA/ Murgesha: Veriun e kanë harruar, po na ra një sëmundje ne jemi përtokë Aktualitet

PROTESTA/ Murgesha: Veriun e kanë harruar, po na ra një sëmundje ne jemi përtokë

"RAMA, NE TA GRISIM KONTRATËN"/ Flamuj dhe pankarta, Bulevardi ndizet nga blicët e telefonëve Aktualitet

"RAMA, NE TA GRISIM KONTRATËN"/ Flamuj dhe pankarta, Bulevardi ndizet nga blicët e telefonëve

Facebook Comments

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara
KONTAKT