Në datën 27 qershor, përmes një statusi në rrjetet sociale dhe një fotografie, ku të gjithë pjesëmarrësit ishin të qeshur, kryebashkiaku Erion Veliaj njoftoi “marrëveshjen” me artistët.
Pas dëgjesës së dytë me artistë e arkitektë, ku Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit refuzoi të merrte pjesë, artistët Altin Basha, Arben Derhemi dhe Alfred Trebicka zhvilluan një takim me kryebashkiakun e Tiranës. Ai takim, që nga njëra anë u shit si “marrëveshje” dhe nga pala tjetër si nisja e një dialogu dhe dakordësimi në disa pika, u shoqërua me reagime ekstreme. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit u distancua nga këta tre “luftëtarë” të paepur të kauzës, të cilët nuk i pranoi si përfaqësues, ndërsa mbi tre artistët vërshuan fyerje dhe akuza për shitje e blerje.
Regjisori Altin Basha, në një intervistë për gazetën “Panorama”, tregon se si u “rregullua” takimi me Veliajn, mbledhjen me Aleancën, atë çka ndodhi në takim dhe reagimin e mëpastajmë. Sa i takon mendimit të tij personal për godinën e Teatrit Kombëtar, regjisori është për një Teatër të ri, por të ndërtuar me paratë e shtetit.
Z. Basha, ju ishit një nga tre artistët që zhvilluat takimin e shumëpërfolur me kryebashkiakun Veliaj. Ky i fundit trumbetoi një marrëveshje, ndërsa Aleanca u distancua, duke thënë se ju morët pjesë në takim si individë. Cila është e vërteta e këtij takimi, si u organizua?
Në dëgjesën e dytë me artistët, z. Erion Veliaj la të kuptohej se ishte i hapur për çfarëdolloj debati dhe dialogu. Madje, na tha që mund të tërhiqej nga pretendimi mbi truallin dhe ne mund të kishim përfaqësues në komisionin, që do të negocionte për kontratën. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit refuzoi pjesëmarrjen në takim. Të nesërmen, Arben Derhemi më telefonon dhe më njofton që do të zhvillonin një takim në sallën “Gëte” në Teatrin Eksperimental. Në atë mbledhje morën pjesë Ema Andrea, Robert Budina, Alert Çeloaliaj, Neritan Liçaj, Alfred Trebicka, Romir Zalla, Taulanda Jupi, Arben Derhemi dhe unë. Në këtë takim u ra dakord së pari se, ishte gabim që nuk morën pjesë në dialog; e dyta, që dialogu duhet të vazhdonte dhe duhej kërkuar një takim me Erion Veliajn. Me organizimin e takimit do të merrej Alert Çeloaliaj me Arben Derhemin; Ideja ishte që të vazhdonte dialogu. Alerti kërkoi kohë që të mblidhej kryesia e SASE-s dhe të zgjidhnin se kë do të kishin përfaqësues. Pasdite, Arben Derhemi më njofton se në takim do të shkonim unë, Arben Derhemi, Alfred Trebicka dhe Alert Çeloaliaj. Ndërkohë Gjergj Bojaxhi, në emër të Aleancës më thotë se duhet futur në negociata një pikë tjetër, që ishte konkursi ndërkombëtar.
Konkurs ndërkombëtar, për çfarë?
Jemi takuar me Gjergj Bojaxhi për të sqaruar këtë pikë, se çfarë parashikonte konkursi ndërkombëtar. Konkursi ishte i hapur për të gjitha alternativat: rikonstruksion; shembje dhe ringritje nga e para në formën që ka; konkurs për një projekt të ri; për një sallë në mes, duke ruajtur dhe dy anët ekzistuese. Konkursi e fuste në shinat e duhura dhe legale gjithë dialogun dhe ishte një ide e pranueshme për Aleancën.
Çfarë ndodhi në takim?
Të nesërmen, kur u takuam për të shkuar në bashki, Derhemi më thotë që Çeloaliaj nuk vjen, sepse ka vendosur të mos vijë. Shkuam. Kemi ndenjur dy orë tek Erion Veliaj. Kemi negociuar, ramë dakord që të mos cenohej trualli; ramë dakord për dy përfaqësues të komunitetit që do të jenë në komisionin e negocimit për kontratën dhe kemi mbrojtur çështjen e konkursit ndërkombëtar. Kemi pasur debate shumë të forta, me argumente dhe kundërargumente dhe në fund u gjet si zgjidhje që konkursi të merrej parasysh, por do të vendosej në një dëgjesë të tretë. Parimisht, konkursi ndërkombëtar u pranua. Kemi dalë nga takimi me Veliajn dhe kemi takuar Gjergj Bojaxhiun, që na lexoi një deklaratë të Aleancës, e cila shprehej pro konkursit ndërkombëtar. Me atë deklaratë ishte dakordësuar Kastriot Çipi dhe Alert Çeloaliaj.