Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dërguar Komisionit të Posaçëm Parlamentar shkresën me rekomandimet që duhet të ketë në konsideratë në realizimin e Reformës Zgjedhore.
Komisioneri shtetëror Ilirjan Celibashi i rekomandon komisionit disa ndryshime të pjesshme të kuadrit ligjor, që lidhen me financimet e partive gjatë fushatës, mënyrën e organizimit të qendrave të votimit dhe përdorimin e aseteve publike nga funksionarët publikë.
Konkretisht, KQZ i rekomandon Komisionit Parlamentar që të konsiderohen ndryshime të Kodit Zgjedhor për mënyrën e organizimit të qendrave të votimit, të komisioneve zonale të administrimit zgjedhor si dhe të grupeve të numërimit. Sipas KQZ, qëllimi i këtij ndryshimi është që të paktën në aspektin formalo-teknik të bëhet një administrim më i mirë i procesit zgjedhor nga komisionet e niveleve të dyta dhe të treta. KQZ sqaron se përmirësimet që ajo nxit në lidhje me këtë aspekt, jo domosdoshmërisht ato duhet apo mundet t’i zhveshin partitë nga të drejtat që ato kanë sot në administrimin e zgjedhjeve. Përfshi këtu edhe të drejtën për vendimmarrjen nga përfaqësuesit e tyre në këto komisione.
Për sa i përket rekomandimit tjetër, rregullat për financimin e fushatës zgjedhore, PËR KQZ ky është një aspekt shumë i rëndësishëm i procesit zgjedhor dhe si i tillë vlerësojmë se ka shumë për të përmirësuar. Duke qenë se koha në dispozicion për zgjedhjet e radhës nuk lejon ndryshime themelore dhe mundësi për zbatimin e tyre, KQZ sugjeron që të përcaktohen rregulla për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në median online, në rrjetet sociale dhe në median e shkruar si dhe rregullat për financimin dhe fushatën e subjekteve të identifikuara si “palë të treta”.
Rekomandimi i tretë lidhet me përdorimin e aseteve publike dhe fushata nga funksionaret publik, për të cilat KQZ rekomandon që të përcaktohen qartësisht mekanizmat për verifikimin nga KQZ mbi përdorimin e aseteve publike dhe veprimtarinë e institucioneve publike dhe çfarë veprimtarish ndalohet për funksionarët publikë në kuadër të fushatës zgjedhore. “Neni 91, pika 4 i Kodit Zgjedhor, ndalon 4 muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re, propozimin, miratimin ose nxjerrjen e akteve ligjore ose nënligjore që parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë”, thotë KQZ, duke sjellë në vëmendje se:
“Kjo dispozitë është e zbatueshme vetëm për zgjedhjet për Kuvend dhe është e paaplikueshme për zgjedhjet për organet e vetëqeverisjes vendore”. Rekomandimi i OSBE ODIHR nr.16 i vitit 2021 thekson se “Organet e zbatimit të ligjit duhet të hetojnë të gjitha pretendimet për shkelje të zgjedhjeve, duke përfshirë keqpërdorimet të burimeve shtetërore, në mënyrë të plotë, në kohë dhe transparente. Votuesit duhet të jenë sistematik informuar për mekanizmat e aplikueshëm për raportimin e çdo rasti të presionit dhe të jetë i sigurt se ata nuk do të përballet me pasoja negative”.
Të tre rekomandimet që KQZ i ka drejtuar Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale janë pjesë e rekomandimeve të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e viteve 2019-2021. Duke llogaritur edhe kohën që duhet për miratimin në seancë publike të këtyre ndryshimeve apo të ligjit të ri zgjedhor, është e qartë që ato nuk do të jenë në fuqi për zgjedhjet e ardhshme për organet e qeverisjes vendore të vitit 2023 megjithatë KQZ shpreh interesin të prezantojë edhe rekomandime të tjera në kuadër të rritjes së standardit të administrimit të procesit të zgjedhjeve.
KQZ REKOMANDON TË KONSIDEROHEN PËR NDRYSHIME TË KODIT ZGJEDHOR
Mënyra/forma e organizimit dhe e funksionimit të komisioneve të qendrave të votimit (KQV) të komisioneve zonale të administrimit zgjedhor (KZAZ), si dhe e grupeve të numërimit (GN).
Qëllimi është që të paktën në aspektin formalo-teknik të kemi një administrim më të mirë të procesit zgjedhor nga komisionet e niveleve të dyta dhe të treta. Përmirësimet që ne nxisim në lidhje me këtë aspekt, jo domosdoshmërish ato duhet apo mundet t’i zhveshin partitë nga të drejtat që ato kanë sot në administrimin e zgjedhjeve. Përfshi këtu edhe të drejtën për vendimmarrjen nga përfaqësuesit e tyre në këto komisione.
Rregullat për financimin e fushatës zgjedhore Financimi i partive politike është një aspekt shumë i rëndësishëm i procesit zgjedhor dhe si i tillë vlerësojmë se ka shumë për të përmirësuar. Duke qenë se koha në dispozicion për zgjedhjet e radhës nuk lejon ndryshime themelore dhe mundësi për zbatimin e tyre, sugjerojmë të konsideroni për momentin rekomandimet vijuese:
a. Të përcaktohen rregulla për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në median në internet (online), në rrjetet sociale dhe në median e shkruar.
b. Të përcaktohen rregulla në lidhje me financimin dhe fushatën e subjekteve të identifikuara si “palë të treta”.
Përdorimi i aseteve publike dhe fushata nga funksionarët publikë
a. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve aktualisht gjykon mbi raportimet e bëra nga vetë institucionet publike dhe nuk mund të monitorojë mediatizmin që iu bëhet veprimtarive me karakter publik. Kjo situatë e vendos në kushte mosveprimi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të identifikuar veprimtari me karakter publik, për të cilat ka detyrim të raportohen, por ndërkohë mbeten të paraportuara.
b. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është vendosur përpara situatave të paqarta në lidhje me pjesëmarrjen në fushatë apo veprimtari të tjera publike të kryetarëve të bashkive/ këshilltarëve bashkiake, të cilët kanë edhe statusin e kandidatit.
Kume: Ndarja e Shqipërisë në 4 qarqe, me numër të barabartë zgjedhësish
Teksa në fokus është reforma territoriale, ish-kreu i KQZsë, Kristaq Kume, pohoi se harta territoriale është më rëndësi dhe në interes të qytetarëve shqiptare. Kume ka shpalosur propozimin e shoqërisë civile, ku sipas tyre zgjidhja më e mirë është ndarja e Shqipërisë në 4 qarqe me numër të barabartë zgjedhësish.
Gjatë fjalës së tij, Kume tha se Komisioni i Reformës Territoriale nuk duhet të ketë fokusin vetëm te konfigurimi i hartës, por të nisë ridimensionimi i sistemit që funksionon pushteti vendor në vendin tonë. “Propozojmë që të trajtohet si i tillë dhe të zgjidhet si pjesë e një procesi të një reforme të thellë. Objekt i kësaj reforme territoriale duhet të jetë i gjithë sistemi. Kërkimi për zgjidhje legjislative që do të bëjë të mundur decentralizimin, e konsiderojmë si nevojë të kohës.
Vullneti politik për një reformë të kësaj përmase duhet të jetë i shprehur sa angazhimi i derisotëm i forcave politike, për të bërë ndërhyrje në hartën territoriale administrative. Ky propozim tashmë i formalizuar si draftligj, i cili për të marrë fuqi vepruese duhet të pasqyrohet me ndryshime, është depozituar në Kuvend. Ajo që ne pas kësaj do të vazhdojmë të këmbëngulim, është kërkesa që ajo çka është nisur në kuadër të punës që po bën Komisioni për Reformën Territoriale të mos konsiderohet e përfunduar vetëm me një ndryshim të hartës. Por të konsiderohet si nisje e një procesi që ridimensionon sistemin që funksionin pushteti vendor në vendin tonë. Ndarja e Shqipërisë në 4 qarqe me numër të barabartë zgjedhësish do të ishte më i miri. Me rëndësi është, këtë e kemi propozuar, që qarku të vetëqeveriset nga këshilli i Qarkut, pra, një MiniKuvend. Të kemi 4 qarqe”, tha Kume.


