Qeveria është dakord për dialog me opozitën për reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR për të reformuar bazën ligjore të zgjedhjeve. Por qeveria, nuk ka ndërmend të bëjë asnjë hap pas dhe të mos lejojë asnjë ndërhyrje tek reforma në drejtësi, e cila ka nisur të vihet në jetë përmes ngritjes së institucioneve të reja dhe ndëshkimit të të korruptuarve në sistemin e drejtësisë. Qëndrimin e shprehu në një video-mesazh shpërndarë në Facebook, zëdhënësja e qeverisë Elisa Spiropali. Ajo tha se opozita ka në plan të rinisë protestat masive anti-qeveritare në mes të tetorit, në një kohë kur Këshilli Evropian pritet të japë vendimin për hapjen ose jo të negociatave me Bashkimin Evropian.
“Opozita ka vendosur të shtyjë për në mesin e tetorit nisjen e protestave masive ndërsa do të përgatisë dy platforma alternative për reformën zgjedhore dhe në drejtësi.
Shumë domethënëse kjo frazë për këdo që nuk e ka kuptuar apo besuar se ku fle lepuri që prodhoi gjithë zallamahinë e gjysmës së parë të vitit. E para, frika nga hapja e negociata dhe përpjekja ekstreme për shkatërrimin e imazhit të Shqipërisë. Fare qartë, në mes të tetorit kur në fakt të gjithë duhet të bënin avokatin e Shqipërisë në prag të vendimmarrjes së Këshillit Evropian më 18 tetor, Lulzim Basha do të dalë përsëri në rrugë për të prodhuar foto e lajme në mediat ndërkombëtarë mbi Shqipërinë e zhytur në të zeza që nuk meriton asgjë.
E dyta dhe e thella arsye e dukshme që ka krijuar lepurin në barkun e opozitës është po ashtu në frazën koncentrat që shpjegon edhe për ata që s’kanë sy për të parë e vesh për të dëgjuar se ku fle lepuri. Platformë për të reformuar drejtësinë thotë Lulzim Basha. Ndërkohë që tërë bota thotë vini në jetë platformën tashmë të miratuar dhe të dakordësuar me tërë botën, jo negociatave se me negociatat nis edhe presioni pozitiv i BE për të dhënë provën se sistemi i ri ka nisur të funksionojë duke hetuar dhe ndëshkuar zyrtarët e lartë dhe politikanët e përzier në zullume. Jo platformës ekzistuese mbi të cilën po ngrihet sistemi i ri që rrit përditë lepurin në barkune opozitës. Asgjë nuk duket se ka kuptuar e ka mësuar kryetari i PD-së nga humbja katastrofike dhe rrënimi dramatik që i solli partisë më të madhe të opozitës me verbërinë dhe mendjelehtësinë e tij. Le të shpresojmë që drita e arsyes do të ngrihet edhe në kokën e tij dhe së paku në grupin udhëheqës të asaj partie, për të mirën e të gjithëve. Ne nuk bëjmë asnjë hap pas, dhe nuk luajmë asnjë platformë alternative për reformën në drejtësi, do të jetë mund i harxhuar kot ajo platformë se do të mbetet në sirtarin e ëndrrave me sytë hapur të Lulzim Bashës.
Ndërkohë, po, jemi gati të ulemi për reformën zgjedhore dhe të kthejmë në ligj rekomandimet e raporteve të fundit të OSBE/ODIHR. As më shumë dhe as më pak. Është e drejta e kryetarit të PD-së të ëndërrojë përmbysje të bazës ligjore së zgjedhjeve, por kjo do të mbetet ëndërr në sirtar. Ne nuk kemi kohë për të humbur me fantazitë e atyre që duan të bëjnë corap cdo gjë. Sepse nuk fitojnë dot zgjedhjet. Por kemi gjithë predispozitën të hapim një dialog konstruktiv dhe të bashkëpunojmë me të gjithë përfshirë edhe Lulzim Bashën për të reformuar bazën ligjore të zgjedhjeve. Viti 2021 nuk është larg prandaj le të shpresojmë që Lulzim Basha dhe PD do ta lënë të shkuarën për tu marrë me të ardhmen”, u shpreh Elisa Spiropali.


