Zv.kryeministrja Senida Mesi kërkoi dje përshpejtim të procesit të vetingut, i cili do të ndihmojë në ngritjen e institucioneve të reja që do të luftojnë korrupsionin në nivele të larta.
Zv.kryeministrja priti dje në Tiranë zyrtarë të lartë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, Mark Pritchard, Përfaqësues i Posaçëm i OSBE-së për Europën Juglindore, Ambasadorin Andreas Nothelle dhe përfaqësues të tjerë. Përmes një njoftimi të zyrës së shtypit të zv.kryeministres, në kuadër të reformës në drejtësi, zonja Mesi u konfirmoi përfaqësuesve të lartë të OSBE-së në këtë takim se procesi i vetingut po ecën dhe ka dhënë tashmë rezultatet e para, por natyrisht që duhet thelluar dhe përshpejtuar në të ardhmen.
“Ndërtimi i strukturave të tilla si SPAK-u apo Byroja Kombëtare e Hetimit janë hapa të tjerë thelbësorë që Shqipëria duhet të plotësojë deri në vendimin e qershorit 2019”, u shpreh ajo. Zëvendëskryeministrja Mesi konfirmoi vendosmërinë e Qeverisë Shqiptare për të reformuar njëherë e përgjithmonë sistemin e drejtësisë, pasi vetëm një drejtësi e re do të mund të përforcojë demokratizimin, zhvillimin dhe përshpejtojë anëtarësimin në BE. Përfaqësuesi i Posaçëm i OSBE-së për Europën Juglindore, Mark Pritchard, në këtë takim u interesua në mënyrë të veçantë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe ecurinë e reformave thelbësore si ajo në drejtësi.
Zëvendëskryeministrja Mesi konfirmoi angazhimin maksimal të Qeverisë Shqiptare për procesin e integrimit dhe realizimin me sukses të procesit parapërgatitor, që tashmë ka nisur me Komisionin Europian. Për sa u përket reformave që po ndërmerren në Shqipëri, zv.kryeministrja Mesi nënvizoi faktin se ato duhet të thellohen dhe përshpejtohen për të mirën e vendit dhe shqiptarëve, duke kërkuar jo vetëm angazhimin e maxhorancës, por njëkohësisht edhe të opozitës.
Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, zv.kryeministrja u shpreh në takimin me përfaqësuesit e lartë të OSBE-së për rajonin, se Shqipëria është vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë për rolin e saj konstruktiv në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon dhe për kontributin e saj në stabilitetin e rajonit.
Me besimin që vendet duhet të punojnë për një fqinjësi të mirë dhe produktive, znj. Mesi shprehu gatishmërinë e Qeverisë Shqiptare për të vazhduar rolin e vendit tonë si promovues i sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal dhe nënvizoi gjithashtu se perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Europian (BE) ka ndihmuar rajonin të tejkalojë konfliktet e së kaluarës dhe gradualisht të ndërtojë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë.
“Në sajë të proceseve të tilla si ai i Berlinit dhe iniciativave të tjera rajonale, tashmë kemi një rrjet të mirëfilltë të bashkëpunimeve multilaterale në rajon, çka i kanë sjellë edhe më afër vendet me njëratjetrën dhe ka përforcuar gjithëpërfshirjen”, u shpreh ndër të tjera zëvendëskryeministrja Mesi. Në lidhje me Kosovën, zëvendëskryeministrja Mesi u shpreh besimplotë për dialogun Kosovë– Serbi, të drejtuar nga Bashkimi Europian dhe theksoi se propozimi i Komisionit Europian për liberalizimin e vizave është një lajm shumë i mirë për Kosovën dhe se vendi ynë mbetet në pritje të një vendimi pozitiv të Këshillit dhe Parlamentit Europian.


