Rovena Gashi, krahu i djathë i Adriatik Llallës për 5 vitet qëai ishte në krye të Prokurorisë së Përgjithshme dhe bashkëshorti i saj Dritan Gina, ish Kryeprokurori i Elbasanit, nga dje janë zyrtarisht nën hetim.
Rovena Gashi ka mbajtur deri vonë pozicionin e Drejtoreshës së Drejtorisë Juridiksionale me Jashtë dhe për Dekriminalizimin në Prokurorinë e Republikës. Hetimet mbi ta po zhvillohen për akuzat e pastrimit të produkteve të veprës penale, ose pastrim parash të pista, fshehje të pasurisë në bashkëpunim dhe deklarim të rremë.
Por Rovena Gashi dhe Dritan Gina nuk janë të vetmit që po hetohen tashmë, nga ish drejtuesit e rangjeve të larta të sistemit të drejtësisë. Çiftit të prokurorëve i janë zbuluar të paktën 16 prona të fshehura, 14 apartamente në bregdet, dy magazina të mëdha prej mijëra metrash katrorë për biznes me një vlerë që i kalojnë 2-3 milionë eurot. Po hetohet edhe për gjetjen e pronave të tjera të fshehura pasi besohet se ka ende të tjera si toka, para, troje, sende me vlerë, etj.
Adriatik Llalla, ish Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë prej tri javësh është gjithashtu nën hetim për katër akuza të rënda. Prokuroria e Durrësit që po meret me dosjen e tij, është fokusuar tek pastrimi i parave të pista ndaj tij, tek fshehja dhe mosdeklarimi apo deklarimi i rremë i pasurisë, si dhe tek nxjerrja e shumave të mëdha të parave jashtë Shqipërisë. Ambasadori Lu, tha se SHBA po punon ngushtësisht me prokurorët e çështjes së Llallës për ti ofruar asistencë dhe të dhënat e tyre kundër tij.
Përveç treshes së mirënjohur të Prokurorisë së Përgjithshme, ka edhe dy gjyqtarë të rëndësishëm që janë kallëzuar për ndjekje penale në prokurori në lidhje me çështjet e pasurisë, nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ose shkalla e parë e vettingut pas verifikimit të pasurive të tyre.
Në foto: Fatos Lulo ish anëtar i Gjykatës Kushtetuese
Fatos Lulo, ish anëtar i Gjyaktës Kushtetuese është i pari gjyqtar që u verifikua dhe u rrëzua nga trupa gjykuese e KPK pasi sipas saj, ai nuk arriti që të justifikonte burimet e ligjshme të pasurisë së deklaruar. Lula u largua nga sistemi i drejtësisë dhe për 15 vitet e ardhshme nuk ka të drejtë të rikthehet. Nga ana tjetër materialet dhe gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ndaj tij, u dërguan në Prokurori për ndjekjen penale të Lulos.
Në foto: Besnik Ymeraj ish anëtari i Gjykatës Kushtetuese
Një tjetër gjyqtar që është kallëzuar për ndjekje penale është edhe Besnik Ymeraj, ish anëtar i Gjykatës Kushtetuese, gjithashtu. Ymeraj u tërhoq vetë nga sistemi i drejtësisë brenda afatit ligjor që përcakton ligji. Ai i shpëtoi në këtë mënyrë vettingut, por jo ndjekjes penale. Edhe ndaj tij ka tashmë një hetim të nisur po në lidhje me pasurinë e tij dhe burimet legale të vendosjes së saj.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është i detyruar mbi bazë të nenit 281 të Kodit të Procedurës Penale që të kallëzojnë penalisht të gjithë ata persona, për të cilët kanë dijeni se kanë kryer vepër penale. “Nëpunësit publikë, të cilët gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të funksioneve a të shërbimit të tyre, marrin dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht, detyrohen të bëjnë kallëzim me shkrim edhe kur nuk është individualizuar personi të cilit i atribuohet vepra penale. Kallëzimi i paraqitet prokurorit ose një oficeri të policisë gjyqësore. Kur, gjatë një procedimi civil ose administrativ, zbulohet një fakt që përbën vepër penale që ndiqet kryesisht, organi përkatës bën kallëzim te prokurori”,- thuhet në Kod.
Kjo do të thotë se në ditët në vijim, sa më shumë gjyqtarë dhe prokurorë të kalojnë nga filtrat e vettingut, aq më shumë do të zgjatet lista e të kallzuarve në prokurori në lidhje me pasuritë e pajustifikuara të tyre.
Përgatiti: Alpenews.al




