Ka trazuar ujërat intervista e kryeministrit Zoran Zaev për kanalin grek ERT, ku ai deklaroi se presidenti i vendit, Georgi Ivanov, do të mbështesë marrëveshjen për emrin e Maqedonisë, nëse referendumi do të jetë i suksesshëm dhe populli do t’i thotë po paktit me Greqinë. Zyra e presidentit reagoi duke sqaruar se Ivanov nuk ka ndryshuar qëndrim lidhur me çështjen e emrit dhe se asnjë formë presioni, shantazhi apo kërcënime nuk do ta bëjë të ndërroje mendim.
Sipas tij anëtarësimi i vendit në NATO dhe BE nuk duhet të keqpërdoret për të miratuar një marrëveshje me pasoja të pallogaritshme për shtetin e Maqedonisë dhe popullin maqedonas.
“Kryeministri Zaev, me pikëpamjet kontradiktore vazhdon të gënjejë dhe të manipulojë jo vetëm opinionin maqedonas dhe grek, por edhe atë ndërkombëtar. Presidenti i Maqedonisë nuk mund të pranojë një marrëveshje kundër identitetit kombëtar maqedonas dhe interesave të Republikës së Maqedonisë”.
Ivanov e ka cilësuar si “poshtëruese” për vendin e tij marrëveshjen e Prespës që i jep vendit emrin Republika e Maqedonisë së Veriut. Kur kryeministri Zaev dhe Ministri i Jashtëm Nikola Dimitrov shkuan në Pallatin Presidencial për ta informuar në lidhje me bisedimet, ai refuzoi të njihet me draftin e marreveshjes dhe mbylli takimin në vetëm 2 minuta. Zgjidhja e çështjes së emrit me Maqedonisë u përshëndet gjerësisht nga faktori ndërkombëtar, ndërsa në samitin e korrikut Maqedonia pritet të marrë ftesën e anëtarësimit për në NATO.


