Deputeti i PD-së Dashamir Sula në një intervistë për gazetarin e “Panorama” Mariglen Kume tha se është i surprizuar nga pjesëmarrja e lartë në Kuvendin e sotëm, duke shtuar se ai nuk duhet parë si triumf por si shans për bashkim.
Sula e konsideroi referendumin e Berishës si ilegal, por megjithatë ai theksoi se nuk do të votojë kurrë për përjashtime nga PD, duke u shprehur se ka gjithmonë kohë për reflektim.
INTERVISTA
Pyetje: Si ju duket pjesëmarrja e delegatëve dhe simpatizantëve?
Sula: Dua të shpreh kënaqësinë për të gjithë demokratët ku janë në çdo anë të vendit, sinqerisht jam i surprizuar nga pjësmarrja, qoftë e delegatëve dhe mbështetësve që është shumë e lehtë për t’u dalluar krahasuar më Kuvendet e tjera. Pjesëmarrja është jashtëzakonsiht lartë dhe tregon mbështetjen e delegatëve të PD zyrtare dhe kryetari i saj Lulzim Basha. Nuk duhet ta shohim si triumf, absolutisht, por si një shans vendimtar që të bashkohemi, sepse nuk është rruga e duhur ndarja, përçarja. Ky bashkim bën të mundur rrëzimin e regjimit të kalbur të Edi Ramës. U bëj thirrje të gjithë demokratëve, edhe ata që nuk janë sot këtu të bashkohemi nga dita e nesërme sepse shtëpia e përbashkët është PD. Nuk e kemi luksin të ndahemi si vëllezër. Kemi problematike, por që zgjidhen ditë pas ditë, javë pas javë.
Pyetje: Ju vjen keq që sot ka dy organizime, referendum dhe Kuvendi?
Sula: Sigurisht shpreh keqardhjen sepse kjo nuk është rruga e duhur. Nuk është normal që demokratët t’u vihen në dispozicion nga bashkiakët, strukturat e PS ambiente për një votim ilegal, pa asnjë lloj norme statutore dhe legjitimiteti e transparence.
Pyetje: Do votoni për përjashtime apo shkarkime nëse propozohen në Kuvend?
Sula: Personalisht nuk kam për të votuar kurrë përjashtime dhe largime të vëllezërve tanë nga PD, sepse kam bindjen edhe nëse është rruga e gabuar ka kohë për të reflektuar. Është e pafalshme për këdo nga ne.