Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov ka reaguar për herë të parë pas dorëheqjes së Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias.
Dimitrov është shprehur se sëbashku me Kotzias, dy vendet arritën të realizojnë diçka që në 27 vitet e mëparshme konsiderohej e pamundur.
“Të udhëhequr nga kryeministrat Aleksis Tsipras dhe Zoran Zaev, me ministrin e Punëve të Jashtme Kotzias kishim muaj intensiv komunikimi, u bëmë miq të vërtetë dhe për një vit kemi arritur të bëjmë diçka që në 27 vitet e mëparshme është konsideruar si e pamundur”, ka thënë ai.
“Kemi afruar dy vendet tona dhe arritëm Marrëveshjen historike të Prespës, ndërtuam urë miqësie dhe dëshmuam se rajoni ynë mund të zgjidhë mosmarrëveshjet dhe mund të krijojë ardhmëri”, ka theksuar më tej Dimitrov.
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë e mbylli deklaratën e tij duke i uruar Kotziasit shëndet dhe sukses në sfidat e ardhshme, si dhe duke garantuar një angazhim të fuqishëm për të përfunduar zgjidhjen historike.
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, dha dorëheqjen të mërkurën dhe postin e tij e mori kryeministri i vendit, Alexis Tsipras.
Dorëheqja e tij erdhi si pasojë e kundërshtimit të qëndrimit të Tsiprasit për “të lënë zbuluar” shefin e diplomacisë helene, si dhe për shkak të përplasjes që pati më 16 tetor në një mbledhje të qeverisë me Ministrin e Mbrojtjes.


