Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ka reaguar përmes një postimi të gjatë në Facebook, pas arrestimit të tij me urdhër të SPAK mesditën e sotme, duke mohuar akuzat ndaj tij dhe familjarëve të tij.
Veliaj shprehet se tani nuk do të heshtë më për “çfarë më kanë parë sytë në sjelljen me familjen time dhe më kanë dëgjuar veshët nën çatinë e SPAK-ut”.
Kryebashkiaku hedh akuza ndaj prokurorit të çështjes, teksa shprehet se nuk “është e lehtë të heshtësh kur të djeg lëkura sikur të fikin bishta cigaresh në trup nga idiotësitë që të thotë një prokuror, si ai që nuk la dëshmitar pa shantazhuar”.
Veliaj thotë se i vjen keq për familjen e tij si dhe për “motrat dhe vëllezërit e Partisë Socialiste dhe për kryetarin, që pas kaq vitesh beteja të përbashkëta elektorale, nëse nuk do të më ketë në krah këtë fushatë”.
“Kam një besim të madh se e vërteta është më e fortë se sa çdo mur dhe se sa çdo idiot që i bëhet asaj barrikadë duke abuzuar me pushtetin e drejtësisë”, e mbyll Veliaj reagimin e tij të parë pas arrestimit në ambientet e institucionit që drejton.
Reagimi i plotë:
Tani unë nuk kam më detyrimin të hesht për çfarë më kanë parë sytë në sjelljen me familjen time dhe më kanë dëgjuar veshët nën çatinë e SPAK-ut. Kam respektuar, si gjithë të tjerët, vijën tonë politike, jo komente për një proces të hapur nga drejtësia.
Më vjen keq për nënën time, që zemër plasur në çdo betejë timen këto 20 vite, s’ju ndanë peripecitë prej një jete sakrificash.
Më vjen keq për motrat dhe vëllezërit e Partisë Socialiste dhe për kryetarin, që pas kaq vitesh beteja të përbashkëta elektorale, nëse nuk do të më ketë në krah këtë fushatë, siç duket gjasat, përderisa më fusin në burg pa gjyq 3 muaj para zgjedhjeve.


