Vjen reagimi i parë nga partitë e djathta evropiane.
Eduard Kukan në një prononcim për Report Tv, thotë se djegia e mandateve nuk është një ide e mirë.
“Unë nuk pajtohem me bojkotin e parlamentit. Iniciativa të tilla nuk kontribuojnë në situatën tashmë të tensionuar politike. Unë mendoj se politikanët në Shqipëri duhet t’u drejtohen institucioneve demokratike dhe mandateve që u janë dhënë nga qytetarët me më shumë përgjegjësi” thotë Kukan,
Eurodeputeti shprehet i shqetësuar për përshkallëzimin e tensioneve politike, duke thënë se është një kohë kritike për Shqipërinë në drejtim të përmbushjes së reformave. Por mbi të gjitha, për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian – thekson Kukan.
“Do të ishte për të ardhur keq nëse ky vendim do të shkaktonte ngadalësim në procesin e integrimit në BE. Hapja e negociatave është diçka që shumica dërrmuese e shoqërisë shqiptare pret. Sipas mendimit tim, të gjithë politikanët shqiptarë duhet të punojnë 150% për tu siguruar që vendi të mos humbasë mundësinë për të hapur negociatat e pranimit”, tha Kukan.
Thotë se zgjidhja duhet të vijë përmes një dialogu.
“Kam përsëritur gjithmonë se Shqipëria ka nevojë për një dialog politik konstruktiv dhe të qëndrueshëm për të arritur potencialin e plotë demokratik. Situata aktuale politike nuk duket se po e ndihmon vendin për të lëvizur përpara“, shprehet ai. /ReportTv