Vetëm 24 orë përpara se qeveria shqiptare të ulet në tryezën e udhëheqësve të të gjitha vendeve anëtare të BE, sëbashku me ato të shteteve të Ballkanit Perendimor, pritet të zhvillohet një nga seancat më të rëndësishme të vettingut për drejtësinë shqiptare. Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ose shkalla e dytë e procesit të vettingut, do të mbajë të parin proces që nga themelimi i këtij institucioni. I gjykuari do të jetë as më pak e as më shumë por vetë ish Kryeprokurori i Republikës, Adriatik Llalla.
Ish kreu i organit të akuzës është një ndër më të përfolurit mes 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve të sistemit të drejtësisë, në lidhje me pasurinë e tij, për të cilën po hetohet nga Prokuroria e Durrësit pasi ka dyshime të forta për fshehje dhe mos deklarim të saj, për pastrim të parave të pista, nxjerrje të parave jashtë Shqipërisë dhe për korrupsion në përmasa të mëdha gjatë ushtrimit të detyrës. Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla duhet të paraqitet më 16 maj para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ku duhet të justifikojë pasurinë e tij.
Më 17 maj, në Sofje të Bullgarisë Shqipëria do jetë përballë 28 udhëheqësve të unionit të bashkuar në një takim të konsideruar kyç për procesin e ratifikimit të rekomandimit pozitiv që dha Komisioni Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit tonë në BE. Vettingu është përcaktuar si reforma kyçe që ia mundësoi Shqipërisë këtë hap. Ndaj ecuria dhe rezultatet e këtij procesi, do të jenë një pikë e rëndësishme jo vetëm për samitin e Bullgarisë por edhe për vendimin e qershorit, kur parlamentet e vendeve anëtare do shprehen për çeljen ose jo të negociatave për Shqipërinë.
Njoftimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit:
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, bazuar në nenin 65, pika 1 të ligjit nr. 84/ 2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” njofton subjektet e procesit si dhe të gjithë personat e interesuar, se ditën e Mërkurë, në datën 16. 05. 2018, ora 10: 00, do të gjykohet në seancë gjyqësore publike çështja Nr. 1/ 2018(JR), datë 27. 03. 2018, për ankimin që Komisioneri Publik ka bërë kundër Vendimit Nr. 2, datë 16. 02. 2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për subjektin e rivlerësimit Zotin Adriatik Llalla.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve, në adresën Bulevardi Dëshmorët e Kombit Nr.6, Tiranë.
Trupi Gjykues, përbëhet nga gjyqtarët:
Kryesues i Trupit Gjykues: Sokol Çomo
Relator i Çështjes: Luan Daci
Anëtar: Albana Shtylla
Anëtar: Ardian Hajdari
Anëtar: Ina Rama
Kjo shpallje bëhet të paktën 15 ditë para datës së gjykimit, në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në ambientet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Ky njoftim bëhet gjithashtu në faqen e internetit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, si dhe në faqen e internetit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe, me njoftim individual në të dhënat elektronike të kontaktit të subjektit të rivlerësimit Zotit Adriatik Llalla të deklaruara në Komisionine Pavarur të Kualifikimit si dhe të dhënat elektronike të Institucionit të Komisionerëve Publikë.
Përgatiti: Alpenews.al


