Një gjykatë në Azerbajxhan e ka dënuar gazetarin dhe ekonomistin, Farid Mehralizada, me nëntë vjet burgim për akuza që ai thotë se lidhen drejtpërdrejt me raportimin e tij kritik për Shërbimin azerbajxhanas të Radios Evropa e Lirë (REL), i njohur në vend si Azadliq Radiosu. Gjykata për Krime të Rënda në Baku i shpalli fajtor Mehralizaden dhe gjashtë gazetarë të tjerë të premten. Të gjitha ata i mohuan akuzat.
Në fjalën e tij përmbyllëse, Mehralizada tha se e kupton se “vendimi që do ta lexoni nuk do të jetë vendimi i gjyqtarëve, por i atyre që urdhëruan arrestimin tonë”.
“Nëse duan, mund të japin dënim të përjetshëm për ne, ose edhe ta ndryshojnë kodin penal, ta rikthejnë dënimin me vdekje dhe të na çojnë në ekzekutim. Sepse në vendet ku nuk respektohet shteti ligjor dhe pavarësia e gjyqësorit, proceset gjyqësore nuk janë gjë tjetër veçse një buzëqeshje e rreme nga qeveritë autoritare”, shtoi ai.
Mehralizada u arrestua për herë të parë më 30 maj 2024, kur agjentët e sigurisë e sulmuan, i vunë një thes në kokë dhe i pëshpëritën në vesh: “Ju flisni shumë”. Më 1 qershor 2024, një gjykatë në Baku e vendosi në paraburgim duke e akuzuar për “komplot për të kontrabanduar valutë të huaj”, në lidhje me një rast që autoritetet azerbajxhanase kishin ngritur kundër medias Abzas.
Punonjësi i Abzas Mahammad Kekalov u dënua me shtatë vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa redaktori i Agjencisë së Informacionit Turan, Hafiz Babali, me nëntë vjet burgim. Gazetaret Nargiz Absalamova dhe Elnara Gasimova u dënuan me nga tetë vjet secila si pjesë e të njëjtit rast.
Gjatë gjyqit të tij, Mehralizada paraqiti me kujdes rrethanat e arrestimit si prova se çështja ishte e motivuar politikisht dhe si përgjigje ndaj “opinioneve të tij kritike për politikat sociale dhe ekonomike të zbatuara në Azerbajxhan”. “Farid tashmë ka humbur shumë”, tha në një deklaratë presidenti dhe drejtori ekzekutiv i REL-it, Steve Capus. “U mbajt në mënyrë të padrejtë për më shumë se një vit, humbi momentin e lindjes së fëmijës së tij dhe tani pret drejtësinë e paarritshme. Mohimi i të drejtave themelore për këtë njeri është mizori e panevojshme. Në vend që të vazhdohet me këtë farsë, është koha që Farid të ribashkohet me familjen e tij.
Puna e Mehralizades theksonte se analizat e tij ekonomike kritikonin shpesh varësinë e Azerbajxhanit nga nafta dhe gazi dhe vinin në pikëpyetje statistikat zyrtare për papunësinë dhe varfërinë. Fillimisht ai u akuzua për kontrabandë, por më pas iu shtuan akuza të tjera si sipërmarrje e paligjshme, evazion fiskal, kontrabandë në grup dhe falsifikim dokumentesh.
“Me pothuajse 20 gazetarë të tjerë që përballen me gjyq për akuza të ngjashme, komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë i qartë se nuk mund të ketë më ‘punë si zakonisht’ me Azerbajxhanin nëse ai burgos masivisht anëtarë të shtypit”, tha Gulnoza Said, koordinatore për programin e Evropës dhe Azisë Qendrore në Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve, në një deklaratë para shpalljes së vendimit./ REL


