Amerikanët nxjerrin në dritë të tjera detaje nga zhvillimet në Shqipërinë komuniste. Në disa shkrime të “The New York Times” tregohet për përplasje mes Athinës dhe Tiranës më 1947, pasi Enver Hoxha pretendonte për sulm ajror nga Greqia. Ndërsa në një tjetër shkrim thuhet se shqiptarët në SHBA bënin peticione për largimin e Hoxhës nga posti.
27 maj 1947
Shqipëria akuzon Greqinë për sulm ajror
Dje përfaqësuesit shqiptarë akuzuan se disa dhjetëra avionë të Greqisë kanë sulmuar barinjtë shqiptarë javën e kaluar duke shkaktuar dy viktima dhe duke plagosur tetë të tjerë. Në një letër për sekretarin e përgjithshëm Trigve Lie, kryeministri shqiptar Enver Hoxha thoshte se më 21 maj një fluturim i avionëve grekë depërtoi 8-9 milje në brendësi të territorit shqiptar. Dy viktimat përshkruheshin si një burrë 70 vjeçar dhe një vajzë 17 vjeçare,ndërsa të plagosurit ishin gra e fëmijë. Bombat e avionëve grekë kishin vrarë gjithashtu rreth dyzet kafshë bujqësore.“Të gjitha provokimet greke të kohëve të fundit, si dhe aktet kriminale të 21 majit 1947, janë vetëm provokime kriminale të qeverisë fashiste greke në kurriz të popullit shqiptar, me inkurajimin e fuqive të huaja për të fabrikuar konflikte dhe për të bindur Këshillin e Sigurimit për një komision hetimi në veri të Greqisë”, tha Hoxha. Shqipëria, së bashku me Jugosllavinë e Bullgarinë kanë refuzuar të caktojnë oficerë ndërlidhjeje për komisionin hetimor. Të enjten e shkuar Këshilli i Sigurimit refuzoi një rezolutë të nisur nga Bashkimi Sovjetik për kufizimin e aktivitetit të komisionit hetimor.
14 korrik 1947
Hoxha sugjeron se britanikët vendosën mina në kanalin e Korfuzit
Kryeministri i Shqipërisë,Enver Hoxha deklaroi sot se ka prova se përfaqësuesit britanikë dhe amerikanë në vend kanë qenë agjentë spiunazhi dhe se kishin përgatitur një revolucion të armatosur për përmbysjen e regjimit aktual, raportonte radio Tirana. Duke folur në seancën e hapjes së parlamentit shqiptar Hoxha tha se britanikët i kanë vendosur vetë minat për dëmtimin e dy luftanijeve britanike në kanalin e Korfuzit në tetor. Duke sulmuar atë që quante “politikë e padrejtë dhe e pandershme” e Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara, Hoxha tha: “Arsyeja për këtë për përçmimi i britanikëve dhe amerikanëve për progresin demokratik të republikës popullore të Shqipërisë”.
21 korrik 1947
Emigrantët shqiptarë peticion SHBA për largimin e Hoxhës
Emigrantët shqiptarë kanë njoftuar sot se i kanë bërë apel presidentit të SHBA Truman të bëjë të mundur mbajtjen e zgjedhjeve të lira në Shqipëri, nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara. Apeli u njoftua nga ambasadori James C. Dunn, të cilit i ishte kërkuar t’ia kalonte presidentit Truman “me shpresën që të drejtonte vëmendjen te lutja e dëshpëruar por ndihmë e shqiptarëve, të cilët nuk kërkojnë asgjë më shumë se një shans për të kërkuar fatin e tyre si një komb demokratik”.Deklarata ishte nënshkruar nga tre intelektualë që e përshkruanin veten në një njoftim për shtyp si të paprekur nga lidhjet politike dhe se po i jepnin zë ndjenjave “të të gjithë shqiptarëve, pa dallim feje apo bindjesh politike”.Deklarata thoshte se rreth 4000 shqiptarë që ishin arratisur jashtë vendit ishin në gjendje të ngrinin“ thirrjen e alarmit për shpëtimin e vendit të tyre”.
Akuza diktature mizore
Bashkangjitur me apelin e tyre, ishin gjashtëmbëdhjetë faqe me “dokumentim” ku thuhej se jepej një panoramë e plotë e kushteve mizore politike, sociale e ekonomike që mbizotëronin në Shqipëri. Apeli dhe dokumentimi i tij sugjeronin se shqiptarët shikonin me shpresë vetëm nga Shtetet e Bashkuara si fuqia që mund t’i shpëtonte nga zgjedha e diktaturës mizore që ishte vendosur nga qeveria e Enver Hoxhës. Akoma më shumë se mungesa e lirive, thuhej në apel, është rreziku që Shqipëria të pushojë së ekzistuari si komb i pavarur, pasi kryeministri Hoxha po i hap rrugë absorbimit të vendit nga shtetet fqinje sllave. Duke i kërkuar presidentit Truman të mbrojë kauzën e Shqipërisë para Kombeve të Bashkuara, emigrantët thoshin se ishin të domosdoshme masa paraprake, mes të cilave përfshihen: çmobilizimi dhe çarmatosja e ushtrisë së Enver Hoxhës, pasi nuk ka arsye për ruajtjen e tyre tani që lufta ka mbaruar; pezullimi i të gjitha masave që synojnë zhdukjen apo kufizimin e lirive individuale që njihen nga të gjitha vendet perëndimore; krijimi i një force policie shqiptare, në një organizatë që të mund të drejtohet nga oficerë të specializuar të Kombeve të Bashkuara; zgjerim i lirive të udhëtimit dhe ambienteve për gazetarët, për të kryer punën e tyre të pashoqëruar në Shqipëri; formimi i një komisioni të përkohshëm kontrolli, të përbërë nga zyrtarë të paanshëm të Kombeve të Bashkuara, i cili të ketë detyrën të sigurojë liritë bazë deri në kryerjen e zgjedhjeve të lira e demokratike. Autorët e apelit e përkufizonin vendin e tyre si një bastion mesdhetar dhe ishin të bindur se në interes të Shteteve të Bashkuara, Shqipëria duhet të ruajë integritetin e saj, pasi ky kishte qenë qëllimi i politikës së jashtme të SHBA, i theksuar dhe në fjalimin e 12 marsit të presidentit Truman, ku ai u zotua për ndihmën ndaj Greqisë dhe Turqisë.
17 gusht 1947
Guerilasit grekë formojnë qeverinë paralele
Gjenerali Vafthiadis njofton në radion shqiptare se regjimi i ri do të vazhdojë deri në krijimin e administratës demokratike. Gjenerali komunist grek Markos Vafthiadios pretendonte në një transmetim në radio krijimin e qeverisë ushtarake të “Greqisë së lirë” dhe ka shpërndarë kopje të deklaratës publike. Ushtria e Tretë greke ka intensifikuar aktivitetin gueril në dhjetëra pika duke nisur nga Traka perëndimore drejt Maqedonisë greke perëndimore, duke përdorur dhe mortaja, të cilat siç raportohet nuk disponohen nga forcat qeveritare. Ministri grek i rendit publik Napoleon Zervas shpalli krijimin e një “qeverie bandite në territorin grek” dhe tha se kjo ishte një “manifestim komik i stacionit radio Enver Hoxha-Markos” dhe se qeveria e tij po i jepte ngjarjen rëndësinë që meriton. Një zëdhënës i ushtrisë greke akuzonte se radio e guerilasve ishte në Tiranë, dhe mbështetej nga kryeministri gjeneral Hoxha. Policia ka sekuestruar kopje të organit komunist të publikuar nga guerilasit, dhe prokurori i përgjithshëm tha se do të merren masa ndaj stafit që e ka përgatitur. Një zyrtar i qeverisë tha se nuk ishte i çuditur nga shpallja, pasi kryesia e Markos po drejtonte bandat komuniste në male dhe ka njoftuar më parë për qëllimin e shpalljes së qeverisë komuniste. Disa rrethe të qeverisë thonë se mund të ketë avantazhe me shpalljen e qeverisë guerile pasi ushtria greke deri tani nuk ka mundur t’i tërheqë ata në betejë të hapur frontale, dhe tashmë ata mund të përballen me ushtri formale.
13 shtator 1947
Qëllimet anti-amerikane shihen në gjyqet shqiptare
Objektivat janë eliminimi i intelektualëve dhe “komunistëve të butë”. Analistët e Shqipërisë thanë sot se gjyqi i dhjetë deputetëve dhe katërmbëdhjetë të tjerëve për komplotin e përmbysjes së qeverisë së Enver Hoxhës, kishte një qëllim të trefishtë: Së pari është eliminimi i numrit më të madh të mundshëm të shqiptarëve të arsimuar dhe intelektualëve që mund të diskreditojnë qeverinë aktuale, së dyti kjo i jep Hoxhës një justifikim para shqiptarëve për politikat e tij të armiqësisë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë. Praktika vlen gjithashtu për të spastruar partinë komuniste nga elementët që nuk janë sa duhet komunistë të zjarrtë. Shumica e të akuzuarve pritet të marrin dënim me vdekje, sipas informatorëve nga Tirana. Dhjetë deputetëve u është hequr imuniteti parlamentar me një vendim të 15 majit. Të akuzuarit janë Konstantin Boshnjaku, Ibrahim Karburnara, Faik Shehu, Islam Radovicka, Kolë Kuqali, Shefqet Beja, Enver Sazani, Seladin Toto, kolonel Kadri Hoxha dhe Irfan Kajuni. Por prej majit shumë persona të tjerë janë arrestuar dhe sipas qeverisë numri i të përfshirëve në komplot arrin në shtatëdhjetë burra e gra, kryesisht intelektualë. Mes të arrestuarve të kohëve të fundit ishin mësuesi Tefik Deliallisi, farmacisti Sulo Konjari, librashitësi Selin Kokalari, avokati Gjovalin Vlashi, drejtori i shkollës Xhevat Xhafa, mësuesi Beqir Çela, inxhinierët e minierave Riza Alizoti dhe Sulo Klosi, profesori Foto Bala dhe ish-deputeti kryebashkiak i Korçës Agathokli Kitomi. Prokurori publik do të jetë majori Josif Pashko, ish-mësues në shkollë fillore, i cili po përpiqet me të gjitha mënyrat të provojë që të akuzuarit ishin anëtarë të një komuniteti klandestin për organizmin e një revolucioni dhe përmbysjen e regjimit të Hoxhës. Gjatë gjyqit, pesë nga të akuzuarit kanë pranuar se kanë qenë në kontakt me diplomatë nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania në Shqipëri, si dhe me refugjatë politikë shqiptarë jashtë vendit, të interesuar për përmbysjen e Hoxhës dhe vendosjen e një qeverie miqësore ndaj Britanisë dhe SHBA. Gjatë marrjes në pyetje ata kanë deklaruar se kanë marrë ndihmë financiare nga fuqi të huaja dhe kanë kryer akte sabotazhi në minierat e kromit në Rubik dhe në fushat e naftës së Kuçovës. Të gjitha deklaratat e bëra nga të akuzuarit janë përftuar me anë të torturës nga policia politike shqiptare. Prokurori deri tani nuk ka arritur të dorëzojë prova konkrete për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara apo Britanisë, sipas burimeve në Tiranë, të cilat thonë se diplomatët amerikanë janë larguar disa muaj para arrestimit të zyrtarëve.
29 shtator 1947
Akuza për komplotin e armëve
Beograd – Ka nisur në Tiranë gjyqi i njëzetekatër personave të akuzuar për planifikimin e përmbysjes së qeverisë komuniste të Enver Hoxhës me ndihmën e elementëve anglezë e amerikanë në Shqipëri. Disa nga të akuzuarit kanë dëshmuar duke thënë se kanë marrë ndihmë financiare dhe në armatime nga misionet angleze dhe amerikane që erdhën pas lufte në Tiranë. Dëshmitarët bënë lidhje mes anëtarëve të misioneve perëndimore dhe sulmeve të supozuara të sabotazhit, si dhe me një tentativë për kryengritje të armatosur në qytetin veriperëndimor të Shkodrës. Sipas padisë dhe një prej dëshmitarëve incidenti në Shkodër ndodhi më 9 shtator 1946, me kërkesë të “amerikanëve” të cilët kishin premtuar se trupat e ushtrisë amerikane do të zbarkonin në Shkodër tre ditë pas marrjes së qytetit.
Refuzimi i Departamentit të Shtetit
Në një kritikë të ashpër të lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit më 22 shtator, Shqipëria akuzohej për një “akt të dëshpëruar mosmirënjohjeje” dhe fabrikimin e akuzave kundër zyrtarëve amerikanë për përfshirje në akte sabotazhi kundër regjimit të Enver Hoxhës. Departamenti i Shtetit tha se akuzat për përfshirjen e amerikanëve janë “tërësisht të pavërteta” dhe e quajti gjyqin në Tiranë një “tentativë të regjimit për të mbajtur veten në pushtet duke shtypur e duke terrorizuar shqiptarët liberalë dhe elementët patriotikë liberalë. Deklarata kujtonte se Shqipëria fitoi pavarësinë e saj kryesisht prej përpjekjeve personale të presidentit Udrou Uilson në konferencën e paqes në 1919. Agjencia shtetërore sovjetike e lajmeve TASS i përshkruante disa nga të akuzuarit në Tiranë si anëtarë të parlamentit ndërsa burime të tjera i kanë identifikuar të akuzuarit si komunistë intelektualë të cilët po spastrohen nga qeveria.
20 tetor 1947
Tito do të fuqizojë ekonominë e Shqipërisë
Do të vijojnë dërgesat e drithit dhe ndihmave të tjera të domosdoshme për regjimin e Hoxhës. Kreu i shtetit shqiptar Enver Hoxha nuk po gjen ditë të lehta këto kohë siç raportojnë udhëtarët që vijnë nga Tirana. Marshall Tito i Jugosllavisë po i vjen vendit në ndihmë, veçanërisht me dërgesat e drithit dhe sigurisht që do të duhet ta bëjë këtë edhe për disa kohë në vijim. Shqipëria kufizohet nga Jugosllavia e Greqia dhe ka përballë Italinë përtej detit Adriatik. Vendi me popullsi prej 1 milionë banorësh është më primitivi në Evropë me lufta fisnore në zonat malore. Gjenerali Hoxha është kryeministër, ministër i Jashtëm dhe komandant i ushtrisë. Ai është një ish-mësues 39 vjeçar që është arsimuar në shkollën profesionale amerikane të Tiranës që për shumë vjet është drejtuar nga Harry T. Fultz, por në një gjyq lufte të kohëve të fundit ai akuzoi se SHBA në atë shkollë po trajnonte një grup spiunësh për shërbimet e Ballkanit. Pas zgjedhjeve të vitit 1945, në të cilat Hoxha fitoi shumicën dërrmuese, Shqipëria ka shtypur informacionin dhe gazetarët e vetëm të lejuar janë disa nga vendet komuniste. Por sipas informacioneve të udhëtarëve të paktë që vijnë prej andej kemi mundur të bashkojmë copat e informacionit për situatën e përgjithshme në vend. Aktualisht është duke u ndërtuar hekurudha e parë e vendit nga Elbasani drejt qytetit të dytë më të madh, portit të Durrësit në Adriatik. Projekti po ndërtohet me bazë vullnetare me punë e të rinjve, sipas modelit të Beogradit për ndërtimin e hekurudhave, por vizitorët thonë se ka ndryshime të mëdha mes të dyjave. Ndryshe nga linja jugosllave Sarajevë-Sabak, ku punonjësve u jepen veshje, këpucë, strehim dhe ushqim i përshtatshëm, punëtorët e linjës Durrës-Elbasan kanë vetëm kushtet më primitive. Gjithashtu përpjekjet për të ndërtuar këtë hekurudhë kërkojnë shumë më tepër energji nga sa është e leverdishme, pasi Hoxha mund të zhvillonte më mirë sistemin e rrugëve sesa të hekurudhave. Në një vend kaq të vogël transporti motorik mund të shkojë më thellë dhe të depërtojë në zonat që janë thuajse të pakalueshme për hekurudhat. Ky është viti i dytë që Marshall Tito po dërgon drithë në Shqipëri, ndërsa një muaj më parë një anije erdhi nga Fiume për në Durrës, edhe pse vetë situata në Fiume është e keqe dhe vetë zona furnizohet nga Kroacia e Serbia. Informacione të besueshme raportojnë se punonjësit e portit në Fiume kanë nisur një grevë katër-ditore në protestë të largimit të drithit nga vendi, por gjithsesi anijet u shkarkuan në Shqipëri. Nuk është e mundur të llogaritet se sa drithë kanë ardhur në Shqipëri apo sa do të dërgohen. Kryeministri Hoxha ka krijuar një program ambicioz në Shqipëri, duke e lidhur vendin ngushtë me Jugosllavinë dhe Marshall Titon, i cili ka dërguar tashmë disa lokomotiva dhe një numër teknikësh për hekurudhat e reja. Valutat mes dy vendeve janë njësuar. Shqipëria me përzierjen e saj të myslimanëve e sllavëve në vitet në vijim ndoshta do të nisë hapat e para në industri, por siç raportojnë vëzhguesit kjo do të kërkojë shumë kohë.