Ministri i Brendshëm i Italisë, Marco Minniti së bashku me një delegacion të nivelit të lartë të ministrisë dhe Policinë italiane kanë mbërritur sot në Tiranë në një vizitë zyrtare pune. Pas një takimi me ministrin e Brendshëm shqiptar, Fatmir Xhafaj, dhe me Presidentin Ilir Meta, zyrtarët italianë i janë drejtuar Pallatit të Kongreseve, ku janë prezantuar rezultatet e raportit të monitorimit nga ajri për vitin 2017.
“BalkanWeb” ka siguruar të dhënat e raportit të monitorimit për vitin 2017, dhe tabelën krahasimore me monitorimet e viteve të kaluara.
Nga 15 maji deri në 15 shtator 2017, janë kryer 53 misione fluturimi, në total 129 orë e 15 minuta fluturim. Bazuar në të dhënat e raportit, rezulton se sipërfaqja e mbikëqyrur dhe e skanuar është 683 249 hektarë.
Në këtë sipërfaqe dyshohet se janë evidentuar 88 parcela me kanabis me sipërfaqe totale 1971 hektarë.
Në raport, për vitin 2017 thuhet se janë shkatërruar 4844 rrënjë kanabis.
AKTIVITETI
“Në kuadër të kësaj vizite, në Pallatin e Kongreseve do të zhvillohet ‘Konferenca e përbashkët mbi raportin përmbyllës së misionit të monitorimit ajror për vitin 2017, në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike’, ndërmjet Policisë së Shtetit, Policisë italiane dhe Misionit të BE-së”, shkruhet në njoftim.
Kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako, tha se “Sot prezantojmë rezultate historike në drejtim të çrrënjosjes së fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike. Kjo nuk ka qenë e lehtë për ne. Çdo punonjës policie mori përgjegjësitë e veta për një territor të caktuar. Përmes agjencisë u përpoqëm të siguronim informacion nga qytetarët. Kemi vendosur standardin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave me policitë e rajonit dhe vendeve partnere. Bashkëpunimi me palën italiane ka padyshim një rëndësi të madhe”.