Numri më i lartë i incidenteve në sistemin parauniversitar ku nuk përjashtohet dhuna, ndodhin jashtë oborrit të shkollave. Në këtë përfundim del raporti vjetor i hartuar nga ministria e arsimit mbi sigurinë. Ndërkohë që në raport thuhet se 92% e nxënësve të dëmtuar janë në gjimnaz dhe në 118 incidente janë të përfshirë nxënës të klasës së dhjetë.
150 oficerë sigurie janë të punësuar në sistemin arsimor parauniverisitar, ku ushtrojnë detyrën e tyre kryesish në gjimnaze. Në bazë të një raporti vjetor të raportimeve të oficerëve të sigurisë janë evidentuar 365 incidente në total në të gjithë vendin. Zyra vendore e arsimit Tiranë ka numrin më të lartë të raportimeve me 68 incidente. Gjatë muajit tetor të vitit 2020 ka ndodhur dhe numri më i madh i problematikave me 23.8% të raportimeve të kryera.
Nga 365 incidente, dhuna fizike ka qenë problematika më e shpeshtë e më konkretisht 38.1% e rasteve. E ndjekur nga dhuna psikologjike, thyerja e rregullores së shkollës dhe bullizmi. Por këto nuk janë problematikat e vetme. Sipas raportit 13 kanë qenë raste kërcënimi apo shantazhi. 12 prej problematikave të evidentuara janë përdorimi i drogës. Po ashtu 3 kanë qenë ngacmime seksuale, dy raste të posedimit të armëve të ftohta dhe 3 sulme me armë zjarri.
Pjesa më e madhe e incidenteve kanë ndodhur jashtë ambienteve të shkollës me 119 raportime. 92% e nxënësve të dëmtuar janë në gjimnaz, ku 118 incidente u kanë ndodhur nxënësve të klasës X.