Shefja e politikes së jashtme te Bashkimit Europian Federica Mogherini e komisioneri për zgjerimin Johanes Hahn, mbërrijnë në Tiranë mbrëmjen e të martës. Mësohet se zyrtarët e lartë të BE-së do të zhvillojnë takime me krerët me të lartë të shtetit dhe politikës shqiptare, të mërkurën, një ditë pas publikimit të raportit të progresit.
Sipas traditës Mogherini e Hahn do të takohen me presidentin e republikës Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe me kreun e opozitës Lulzim Basha. Për këtë të fundit ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga Pd nëse do të takohen, pasi Basha ndodhet në Berlin.
Mogherini e Hahn pritet që gjatë vizitës në Tiranë të dorëzojnë personalisht raportin e progresit mbi procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Ndërkohë që është parashikuar një konferencë mes Mogherinit dhe Ramës.
Por cilat janë 5 pikat kyçe të Raport Progresit për çeljen e Negociatave?
Shqipëria dhe Maqedonia mund të nisin negociatat për anëtarësim në BE, ndërsa abuzimet me të drejtat e njeriut do ta lënë sërish në pritje Turqinë.
- Ruajtja dhe thellimi i këtij momenti reformash në fushën kyç të sundimit të ligjit, e veçanërisht 5 prioriteteve kryesore, dhe rezultatet e vazhdueshme, konkrete e të prekshme në rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve, pra procesi i vetingut, do të jenë vendimtare për progresin e mëtejshëm të vendit.
- Në mbështetje te kesaj, vazhdon dokumenti, Komisioni Europian do të aplikojë qasjen e përforcuar për kapitujt e negociatave mbi gjyqësorin, të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë e vendit.
- E njëjta formule sipas EUObserver do të përdoret dhe për Maqedoninë, por rekomandimi është fillimisht për Shqipërinë. Eduard Kukan, anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe kryetar shumëvjeçar i Komitetit për Bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor i tha gjigandit mediatik gjerman DË se po të implementohet siç duhet reforma e thellë shqiptare e gjyqësorit, ajo do të jetë reforma më e rëndësishme e zbatuar mes shteteve në procesin e zgjerimit, e ndoshta edhe më serioze se në rastin e disa vendeve anëtare të BE.
- Në vlerësimet e tij Komisioni Evropian nënvizon se Shqipëria po ecën përpara në të pesë prioritetet kyçe që janë thelbësore për integrimin në BE – nga reforma e administratës publike, reforma juridike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.
- Në fillim të vitit, kryetari i KE-së, Jean-Claude Juncker e pat pohuar se nëse Shqipëria vazhdon në këtë mënyrë në rrugën e reformave, Komisioni do t’i japë një rekomandim për të nisur negociatat e anëtarësimit brenda gjashtë muajve të parë të 2018-ës.


