Ecuria e sistemit bankar në 2018-n ishte pozitive, teksa rreziku i kredisë ka rënë, si rrjedhojë e reduktimit të nivelit të huave me probleme, që zbriti afër 11%. Edhe rreziku i likuiditetit mbetet i ulët, thanë ekspertët e Bankës së Shqipërisë në prezantimin e raportit të Raportit të Stabilitetit Financiar 6-mujori II 2018.
Ekspertët e Bankës së Shqipërisë thanë se konsolidimi i sektorit bankar pritet të vazhdojë dhe ai do të rezultojë pozitiv për sistemin. Aktualisht numri i bankave është ulur në 14 pas blerjes së NBG nga Banka Amerikane e Shqipërisë dhe përthithjes së Veneto nga Intesa Sanpaolo. Numri i bankave pritet të ulet në 12, pasi Union Bank po përfundon blerjen e bankës maleziane (ICB) dhe banka e Kreditit, që kishte aktivitet të papërfillshëm ka kërkuar likuidimin vullnetar.
Sipas raportit, Banka e Shqipërisë vlerëson se në 6M II -2018 (më tej “periudha) në ngjashmëri me ecurinë e vërejtur në periudhat e kaluara, veprimtaria e sektorit bankar u paraqit e qëndrueshme, me tregues të mirë të performancës dhe të rezistencës financiare
Zhvillimet ekonomike dhe ecuria e tregjeve financiare mbështetën në tërësi veprimtarinë e sistemit financiar. Gjatë periudhës, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë nuk pati ndryshime të ndjeshme.
Aftësia e sektorit bankar për të përballuar këto rreziqe në kushtet e niveleve të larta të likuiditetit, kapitalizimit dhe përfitueshmërisë, vlerësohet e fortë.
Aftësia e sektorit bankar për të perballuar rreziqet, vlerësohet duke analizuar gjendjen e kapitalizimit dhe të përfitueshmërise, si edhe duke provuar përshtatshmërinë e këtyre treguesve në skenarë stresi nëpërmjet provës së rezistencës. Këtë herë, ushtrimi provës së rezistencës u krye edhe për të vlerësuar me hollësisht gjendjen e likuiditetit të sektorit bankar.
Në përgjithësi, rezultatet e testeve të mësipërme tregojnë se sektori bankar mbetet i kapitalizuar dhe me performancë të mirë në skenarët që përmbajnë supozime me probabilitet ndodhjeje më të lartë. Në skenarët më ekstreme, banka të veçanta dhe sektori bankar në tërësi do të kishin nevojë për rritje të kapitalit.
Konkluzionet e provës së rezistencës së likuiditetit tregojnë se sektori bankar është rezistent ndaj goditjeve. Sipas monedhave, rezistenca është më e mirë për lekun dhe dollarin amerikan, ne krahasim me euron. Forcimi rezistencës për lekun lidhet me rritjen e vlerës së aseteve që mund të likuidohen në rast nevoje. Ndërsa dobësimi i rezistencës në monedhën Euro reflekton një ulje të vlerës së raportit mes flukseve hyrëse dhe dalëse, dhe një rënie të lehtë në vëllimin e aktivëve likuide të vlefshme për likuidim në rastin e një goditjeje likuiditeti.