Kryeministri Edi Rama është treguar edhe një herë i prerë lidhur me cështjen e ndihmës ekonomike të familjeve në nevojë.
I pranishëm sot në familjen e Samiut për t’i ofruar ndihmën ekonomike, kreu i qeverisë tha se në mënyrë kategorike “nuk do të marrin ndihmë ekonomike ata që janë të aftë për punë”.
“Thirrja që unë përsëris është nuk ka shans të marrin ndihmë ekonomike, nëse janë të aftë për punë dhe nëse u ofrohet punë, pastaj është punë e tyre,” u shpreh Rama.
Në shtëpinë e Samiut, për Ndihmën Ekonomike që me reformën në proces nuk shkon më tek ata që nuk e meritojnë, po rritet për ata që janë më në nevojë nga gjithkush tjetër, shkruajti kryeministri në postimin e tij në Facebook.
Kreu i qeverisë së bashku me prezencën e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se janë përjashtuar 700 familje ku pjesa më e madhe janë abuzivë.
“Janë përjashtuar 700 familje ku pjesa më e madhe janë abuzivë, ndërkohë që ka një pjesë minimale që është pjesë e marzhit të gabimit që ne po e verifikojmë. Me skemën e re ne nuk vazhdojmë më me ndihmën e pjesshme. Tani ndihma është e plotë, se ka pasur nga ata që kanë marrë edhe 6 mijë lekë. Kjo ndihmë jep pak mundësi për frymëmarrje, nuk po themi që është më e mira e mundshme. Ka shumë njerëz që kanë dalë nga skema, sepse nuk e meritojnë, dhe nuk duan të punojnë,” u shpreh Rama.


