Violeta Lito
Në Shqipëri hyn rreth dy mijë tonë qumësht pluhur.
Sasi kjo e cila përdoret nga fabrikat e prodhimit të qumështit për të plotësuar nevojat e tyre, pasi nuk mund të përballojnë me produkt natyral të gjithë kërkesën.
Të dhënat janë siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ku vihet re se vit pas viti është shënuar rritje e kërkesës për qumësht pluhur.
Statistika:
Nga të dhënat zyrtare rezulton, se në dy vitet e fundit importi i qumështit pluhur është rritur me 42% .
Vendi i parë, nga na vjen ky produkt, është Ukraina me një sasi prej 1,663,700 kg, pasuar nga Çekia, Holanda e Polonia.Por në produktet e bulmetit, që blejmë në treg, nuk thuhet as që ka në përbërje qumësht pluhur, e jo më të shpjegohet origjina.
Qendra e studimeve teknologjike, bromatologjike dhe mikrobiologjike për qumshtin pranë Universitetit të Milanos, pas shumë analizave ka dalë në konkluzionin, se niveli i radioaktivitetit në produktet ushqimore nga Ukraina, është ende i ndjeshëm dhe me pasoja në shëndet, si pasojë e shpërthimit të Centralit të Cernobilit në vitin 1986.
Nga ana tjetër prodhuesit thonë, se prodhimi i produkteve të bulmetit me qumësht 100 përqind nga kafshët, është praktikihst i pamundur. Në rradhë të parë, sasia e qumshtit është e pamjaftueshme dhe nga ana tjetër, një produkt vetëm me qumësht të freskët, do të kishte një kosto tepër të lartë.
Çfarë konsumojmë?
Në mars të vitit 2018, ministri i Bujqësisë asokohe, Niko Peleshi deklaroi:
“Sfida jonë, detyra jonë si Ministri, si institucione, si qeveri shqiptare, është të ndërtojmë një sistem funksional sipas standardeve të Bashkimit Evropian, ta certifikojmë atë nga audituesit e Bashkimit Evropian. T`i japim mundësi eksportit dhe këtij sektori (qumështit), siç janë sektorët e tjerë”– u zotua Niko Peleshi.
Përveç se eksporti nuk u arrit dhe prodhimi nga fermerët po ulet, po rritet importi për qumështin pluhur.
Por eksporti, në këto kushte, është praktikisht një ëndërr e largët. Tregu europian, nuk do të pranonte kurrë një produkt, përbërësit e të cilit, mbahen sekret. Madje, për të tilla problematika, në vendet e BE-së janë hapen edhe cështje gjyqsore.
Në vitin 2020 ish ministri i bujqësisë Edmond Panariti, kërkoi publikisht, që AKU të tërhiqte nga tregu gjithë sasinë e qumshtit pluhur, duke argumentuar, se mund të ishte shkak i mundshëm për humbjen e jetës së dy foshnjave në Berat.Por dy vjet më vonë, në maj 2022 po Panariti u shpreh, se ndërhyrja e presidentit Biden për të rritur importet dhe nxitur prodhimin vendas të qumshtit pluhur, synon stabilizimin e situatës, ndërsa në Shqipëri, të dalë pro qumshtit pluhur, konsiderohet gjenocid.
“Nuk ka asgjë të keqe, të blesh qumësht, ta thash atë, t’i heqësh ujin dhe ta ruash për një kohë të gjatë, për ta përdorur në kohë të vështira dhe në situata të veçanta”- shkroi Panariti në rrjetet e tij sociale.
Po pse gjithë ky konfuzion e kaq shumë kundëthënie në këtë drejtim?
Sipas Industrisë së Përpunimit të Qumshtit, ky produkt në formë pluhuri, shërben për të rregulluar, përmirësuar dhe rritur cilësinë e prodhimit final.
“Të gjithë që e përdorin janë të detyruar të zbatojnë ligjin e ushqimit dhe etiketimit, prandaj duhet gjithmonë të lexohet në etiketa në çdo produkt nga konsumatorët, veçanërisht në produktet e importit në sektorin e ushqimeve.”
Pra, nëse për një produkt të caktuar ushqimor është përdorur qumësht pluhur, duhet të shënohet në etiketë.Ligji e ndalon që produktet që bëhen me qumësht pluhur të quhen njësoj si me qumësht natyral.
Për shembull, nëse për prodhimin e salcës së kosit është përdorur qumësht pluhur, ajo duhet të quhet njomëz. Djathi duhet të përcaktohet si djathë me feta, djathë danez.
Pse është rritur importi?
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, është rritur importi pasi janë shtuar produktet me kartë teknologjike të miratuar për qumështin pluhur, nga Autoriteti i Kontrollit Ushqimor.
Por duke u rritur më shumë importi, kemi një numër më të vogël krerësh dhe kjo sjell një sasi më të vogël qumështi të prodhuar. Sipas Industrisë së Përpunimit të Qumështit, kjo situatë ka bërë që kompanitë të plotësojnë nevojën ditore për qumësht dhe kos dhe mos të prodhojnë produkte që stazhonohen(djath). Sipas kësaj të fundit, shumë shpejt do të kemi një mungesë të djathit në treg. Në qoftë se para 2 vitesh një kompani merrte 10 ton qumësht pluhur në ditë, nga të cilat 6 to ishin qumësht dhe kos dhe 4 ton i bënte djathë, sot po e njëjta kompani merr 7 ton qumësht. Nga të cilat 6 ton vazhdon të plotësojë nevojat ditore me qumësht dhe kos dhe vetëm 1 ton për produkt të stazhonuar.
Atëherë pse nuk deklarohet?
Specialistët e fushës pranojnë, se pluhuri i qumshtit përdoret edhe aty ku nuk lejohet, edhe në sasi, që e kapërcejnë normën e pranuar.
Vec kësaj, përdoruesit nuk plotësojnë dot kushtet e ruajtjes së këtij produkti. Një baxho prdhimi për shembull,duhet të disponojë makinerinë e posacme, për ta përdorur.
Aku, institucioni, që me paratë tona, duhet të na mbrojë shëndetin përmes kontrolleve ushqimore, mjaftohet të pohojë, se e ka bërë këtë në mënyrë periodike.Sipas Aku-së, në rastet, kur janë konstatuar shkelje, janë marrë të gjitha masat për zbatimin e legjislacionit në fuqi. Por Aku nuk na vuri në dispozicion informacionin, se sa subjekte e përdorin qumështin pluhur, cilat janë ato, cfarë masash konkrete ka marrë e ndaj kujt, dhe a ka subjekte të licensuara për përdorimin qumështit pluhur.Aku në këtë mënyrë edhe këtë herë, më shumë u kujdes të mbrojë shkelësit e ligjit, sesa konsumatorët, për shëndetin e të cilëve ekziston e duhet të funksionojë.
Vetë përdoruesit e këtij produkti vetëm nën zë e pranojnë këtë, por publikisht e mohojnë kategorikisht.
Zotëruesja e një furre buke, na tregoi në një bisedë private, se megjithë shkollimin për kimi, me këtë biznes, ia ka dalë të mbajë familjen. Në furrën e saj tregton edhe ëmbëlsira, për të cilat bashkëpunon me një pasticeri me emër në kryeqytet. Fillimisht furnizohej me produkte cilësore, por më pas cilësia ra dhe qumshti pluhur u shtua në pastat që i vinin. Ajo thotë, se diploma në kimi, ia bën edhe më të thjeshtë, për ta kuptuar këtë marifet.
Në nëntor të vitit 2021, Ministria e Financave propozoi, që qumshti pluhur, që importohej nga jashtë, të taksohej, me qëllimin e nxitjes së prodhimit vendas. Taksa u mendua të ishte 100 lekë për kilogram. Por vetëm disa ditë më pas, qeveria u tërhoq nga ky propozim pa dhënë asnjë shpjegim për hapin pas dhe duke krijuar dyshime të forta për mbrojtjen e interesave të këtij biznesi. Ministria përjashtoi nga pagimi i taksave kombëtare, qumshtin pluhur, pa argumentuar, se pse hoqi dorë nga një shumë e konsiderueshme parash në buxhetin e një shteti të varfër si Shqipëria.
Fabrikat e mëdha të prodhimit në pamje të parë, duket, se nuk kishin gisht në lobimin për heqjen e taksës, sa kohë, që në etiketat e produteve te tyre shkruhet ”100% qumësht natyral”.
E nëse të gjithe deklarojnë, se prodhojnë artikuj konsumi me qumësht 100% natyral, ku shkojnë tonelatat e qumshtit pluhur, që hyjnë në vendin tonë?
Problemi qëndron jo vetëm tek fabrikat e mëdha apo subjektet që e përdorin, por atje ku përdoret dhe nuk e shohim. Nëse nje restaurant, hotel apo fast food, ka marrë produkt me qumësht pluhur të deklaruar, ne si konsumatorë përsëri nuk e dimë se cfarë po konsumojmë
Ervin Resuli, kreu i Shoqatës së Mbrojtjes së konsumatorit, shpjegon, se problemi qëndron te mashtrimi, që i bëhet konsumatorit dhe abuzimi me cilësinë, në rastin e përdorimit të qumësht pluhur të padeklaruar.Qytetari nuk e di, se sa është norma e lejuar e këtij pluhuri dhe sa në fakt shkon në tavolinën e familjes së tij. Sipas Resulit, po abuzohet me shëndetin e konsumatorit.
Është detyra e institucioneve, që nëse do të funksiononin në shërbim të konsumatorit, do ta informonin këtë të fundit për atë çfarë konsumon çdo ditë.’
Ku qëndron problemi me qumshtin pluhur, kaq shumë të diskutuar?
Produkti në fjalë përdoret në industri të ndryshme, duke përfshirë prodhimin e qumshtit pluhur për bebe, ëmbëlsira, çokollata, akullore, pije të ndryshme, e deri në bukë.
Qumshti pluhur përftohet nga tharja e qumshtit natyral, për të zvogëluar masën e produktit dhe rritur jetëgjatësinë e tij.Pluhuri i ruan vlerat ushqimore të lëndës së parë, por trashëgon edhe shumë probleme, sic është prania e baktereve. Vec kësaj, kushtet e ruajtjes duhet të jenë rreptësisht të kontrolluara, për të mos sjellë rrezik shtesë në shëndetin e konsumatorit.Sasia e qumshtit puhur duhet të tretet në raportin 1 me 10 në ujë ose qumësht natyral. Cdo tejkalim i këtyre normave, konsiderohet nga ekspertët, si minë me sahat në shëndetin e popullatës.


