Qeveria shqiptare kërkon nga Prokuroria e Përgjithshme të intensifikojë luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe të garantojë pavarësinë së institucionit ligjzbatues.
Sipas një MEMO që Ora News disponon qeveria ngre ende shqetësim faktin se sistemi gjyqësor vijon të perceptohet si i korruptuar dhe se në sistem vijon të ketë ende influencë politika:
“Ekzistojnë raporte të vazhdueshme për ndërhyrjen politike në çështjet e hetimit dhe të gjykatave. Kohëzgjatja e përgjithshme e procedimeve është shkak shqetësimi dhe lidhet kryesisht me mungesën e kapacitetit dhe papërshtatshmërisë së dispozitave përkatëse të Kodit të Procedurave. Me qëllim përmbushjen e prioritetit kyç të reformës në sistemin e drejtësisë, gjatë vitit të ardhshëm, duhet të avancohet për implementimin e dispozitave të reja kushtetuese dhe legjislacionit të ri të lidhur me to”.
Në MEMO qeveria thekson se Prokuroria duhet të forcojë bashkëpunimin me institucionet e tjera ligjzbatuese në ndjekjen penale dhe ndëshkimin e korrupsionit me zero tolerancë. Gjithashtu në MEMO shfaqet hapur pakënaqësia me punën e Prokurorisë në goditjen e krimit ekonomik:
“Krahas progresit të arritur me krijimin e një strukture antikorrupsion dhe përpjekjes për krijimin e një track rekordi të hetimeve dhe dënimeve për çështjet penale të korrupsionit, sërish korrupsioni mbetet problem shqetësues. Hetimet financiare nuk kryhen sistematikisht dhe numri i rasteve të konfiskimit të pasurisë në rastet e korrupsionit është i ulët. Kjo pasi numri i aseteve të konfiskuara gjatë fazës fillestare është i ulët, duke sjellë për pasojë një numër të ulët asetesh të konfiskuara në kohën e dënimit përfundimtar.”
Edhe në luftën kundër krimit të organizuar qeveria shpreh kritika për institucionin ligjzbatues, pasi sipas saj, Policia dhe Prokuroria kanë dështuar në zbulimin e rrjeteve kriminale dhe fenomenit të terrorizmit:
“Policia dhe prokuroria kanë dështuar në zbulimin e grupeve të organizuara që fshihen pas kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Është e nevojshme të forcohet bashkëpunimi midis policisë dhe prokurorisë me qëllim zbulimin efektiv të rrjeteve kriminale. Numri i të dënuarve për çështje të krimit të organizuar mbetet i ulët. Shqipëria është prekur nga fenomeni i terrorizmit. Ky fenomen ka nevojë për një përqasje të përbashkët nga shërbimet e inteligjencës, autoritetet ligjzbatuese dhe institucionet e drejtësisë, duke u fokusuar dhe në mekanizmat parandalues, të cilat përfshijnë shoqërinë civile dhe komunitetet fetare.”


