Ministria e Financave lajmëron se hapësirat për të financuar borxhin nga burimet të brendshme po shterojnë.
“Duke marrë në konsideratë faktorët e mësipërm, shoqëruar me borxhin në vlerë absolute në rritje, nivelin e rritjes së depozitave dhe pritshmëritë për rënien e mëtejshme të nivelit të kredive me probleme, rezulton se financimi i brendshëm është i kufizuar dhe rritja vjetore përtej 20-22 miliard Lek do të ishte e vështirë për t’u realizuar pa ushtruar presion rritës mbi normat e interesit” analizon Ministria e Financave.
Nga ana tjetër, rezulton se kërkesa e lartë për financim nga ana e Qeverisë në tregun e brendshëm mund të ulë kreditimin e sektorit privat, i cili është faktor mjaft i rëndësishëm përsa i përket stimulimit të rritjes ekonomike të vendit, uljes së papunësisë strukturore, si edhe rritjes së produktivitetit dhe konkurrueshmërisë në rajon e më gjerë.
Për rrjedhojë burimet e huaja të financimit në periudhën afatmesme do të shërbejnë si një plotësues i burimeve të brendshme dhe do të shërbejnë përveç të tjerash edhe si optimizues i kostove të borxhit, duke qenë se këto burime paraqiten të mirëdiversifikuara dhe ofrojnë mundësi financimi jo vetëm me terma tregtare, por edhe me terma koncensionalë.
Ministria e Financave lajmëron se instrumentet kryesore që do të mund të përdoren në sigurimin e financimit të huaj janë:
a) Kreditë për financimin e projekteve, të siguruara kryesisht nga burime dypalëshe dhe shumëpalëshe;
b) Mbështetje buxhetore nga institucionet ndërkombëtare financiare, në kuadër të mbështetjes së reformave të ndërmarra nga Qeveria;
c) Eurobondi
d) Garancia pjesore e lëshuar nga Banka Botërore (PBG)
Huamarrja nëpërmjet burimeve të tregut të brendshëm është më e lehtë për t’u realizuar përsa i përket anës proceduralë, është më fleksibël, eviton ekspozimin ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, si edhe i hap rrugën zhvillimit të tregut primar dhe sekondar të titujve shtetërorë, por hapësirat për financim të mëtejshëm janë shumë të pakta./monitor/