Alfred Peza
Në përfytyrimet e shumëkujt, kulmi i ëndrrave me pushtet, është që të bëhet një ditë kryeministër për të qeverisur vendin e vet. Ditën e parë që do ia arrinte, me siguri e përfytyron veten të rrethuar me truproja, me makinat nga më luksozet, me kostumet më të shtrenjta dhe me shkëlqimin më të madh. Po ja që një ditë, Mark Rutte i’a arriti që ta realizonte ëndrrën e tij dhe ai vërtetë u vu orët e fundit, në fokusin e të gjitha mediave botërore. Sepse fotot e tij ditën e parë si Kryeministër, bënë xhiron e botës. Por, aspak për arësyen që mendojnë gjithë ëndërrimtarët e kësaj bote, që vdesin për tu bërë pak kryeministra.
Kryeministri i Holandës, ka shkuar me bicikletë deri në pallatin mbretëror për të njoftuar mbretin Willem Alexandër, se është arritur marrëveshja politike, për formimin e qeverisë së re. Si të mos mjaftonte e gjitha kjo, njoftimi i mediave, do e conte që do e conte deri në fund detajin me bicikletë. Ai u fotografua duke e parkuar bicikletën e tij përpara Pallatit Mbretëror të rrethuar me roje, edhe duke e lidhur atë. Me sa duket, në mënyrë që të sigurohej se nuk do ia vidhte askush. Kush mund ta bënte vallë një akt të tillë në mes të Hollandës dhe në shtëpinë e kurorëmbajtësit? A thua vetë Mbreti, si i vetmi autoritet për të shëtitur krejt lirshëm aty rrotull, i patrazuar nga askush “si në shtëpinë e vet”?!
Këto dhe shumë komente të tjera, mbushën rrjetet sociale, pasi fotot e Mark Rutte tani janë hit në internet. Por në fakt, nuk është se ai nuk kishte të drejtë që ta bënte një akt të tillë. Aq shumë duhet të jetë gëzuar Kryeministri që arriti pas plot 208 ditësh nga zgjedhjet e fundit parlamentare, sa ka dashur që t’ia thonte sa më parë Mbretit lajmin për daljen e tymit të bardhë mbi catinë e negociatave. Ndaj me sa duket nuk priti që ti vinte makina, por mori një mjet më praktik e më efikas… bicikletën e tij të artë.
Përtej ironisë e shakave, ky lajm përvec të tjerash, në tregon se sa gjithnjë e më pak formale, më pak pompoze e butaforike, po bëhet bota në epokën tonë.
Vetëm pak orë përpara kësaj ndodhie politike, e denjë vetëm për mediat dhe faqet gossip, Europa kishte përjetuar një tjetër rekord unikal. Austria kishte votuar pro konservatorëve, duke i’a besuar drejtimin e qeverisë së re, Sebastian Kurz, kryeministrit 31 vjecar, më të riun e të gjitha qeverive të kontinentit tonë. Pak më herët, në Francë elita e vjetër tradicionaliste e Parisit, u dorëzua përpara vitalitetit politik të një 37 vjecari si Emmanuel Macron, i cili kishte për bashkëshorte ish mësuesen e tij, në një moshë që ajo shumë mirë, mund të ishte edhe nëna e tij. Por francezët i kanë tejkaluar shumë herët këto paragjykime, duke i dhënë vec të tjerash botës, një tjetër leksion civilizimi dhe thyerje të tabuve
Italia kishte dhënë më parë shembuj të tillë kur zgjodhi në krye të qeverisë një kryeministër të një brezi të ri dhe ndryshe si Matteo Renzi dhe Greqia fqinje, me Aleksis Tsipras. Edhe Shqipëria ka dalë nga kornizat e dikurshme, duke rrëzuar steriotipet dhe mitet e vjetra politike, kur zgjodhi për kryeministër, një personazh atipik të skenës shqiptare si Edi Rama. As corapet e tij të dikurshme të kuqe apo të verdha, as citjanet dhe as bluzat ngjyra ngjyra si edhe fasadat e pallateve të Tiranës që ai guxoi që të lyente, as atletet e bardha, as bickleta e Lali Erit si dikur ajo e ish kryetarit të Bashkisë së Londrës, Boris Johnson, nuk përbëjnë më cudi për askënd as në Shqipëri. Sepse bota me sa duket po bëhet gjithnjë e më pak formale në aspektin e formës, kur vjen fjala tek sjellja publike e liderëve të vet politikë.
Më shumë sesa bicikleta e kryeministrit, për holandezët ka rëndësi zgjidhja e krizës politike dhe krijimi i qeverisë së re. Për austriakët, më shumë sesa mosha e shefit të qeverisë, ka rëndësi zgjidhja e problemeve që ato i shqetësojnë më shumë. E njëjta gjë edhe për frencezët, italianët, grekët, shqiptarët apo për banorët e Tiranës.
Nëse kjo realizohet, atëherë bicikletat, mosha e re, mosmbajtja e kollareve apo veshja e atleteve të bardha jo vetëm që nuk janë ndonjë mangësi. Përkundrazi, tashmë duken një vlerë e shtuar, në sytë e opinionit publik. Ndaj kryeministri i Holandës bëri shumë mirë që e lidhi bicikletën e tij, në prani të rojeve mbretërore. Sepse Mbreti, nëse ai nuk do ta bënte një gjë të tillë, nuk ishte cudi që të dilte nga dera e pasme dhe të bënte një shëtitje për qejfin e tij me bicikletën që ia behu si mysafire e rrallë në një hapësirë ku prej shekujsh futen vetëm karrocat me stema mbretërore dhe makina të blinduara.