Lulzim Basha ka bërë një deklaratë të papritur në lidhje me qeverinë tranzitore dhe modelin që duhet zgjedhur për të tekaluar krizën politike.
Në përgjigjie të pyetjes së ish kandidati për president të PD, Artan Hoxha nëse qeveria tranzitore është një zgjidhje e momentit apo do të aplikohet sa herë ka zgjedhje 6 muaj para përfundimit të mandatit qeverisës të një force politike për vite me radhë, Basha ka dhënë deklaratën e papritur.
Ai tha se kjo është një situatë emergjente që duhet tejkaluar, por zgjidhja që ofron opozita është më afatgjatë dhe parashikon zgjidhje sa herë ka zgjedhje për të parandaluar manipulimin e tyre, ndaj duhet perdorur modeli turk.
Sipas Bashës, “vende si Turqia dhe Greqia aplikojnë 4-6 muaj para zgjedhjeve ndryshimin e disa ministrive kryesore që kanë impakt të drejtëpërdrejtë në organizimin e zgjedhjeve në vend. Mendojmë t’i referohemi kësaj praktike dhe këtij modeli, për të stabilizuar më në fund drejtësinë e zgjedhjeve në Shqipëri”.
Pra Basha merr si model organizimin e zgjedhjeve nga Erdogan në Turqi, proces që ka qënë gjithnjë në qendër të kritikeve të partnerëve ndërkombëtarë SHBA dhe BE për shkeljen e të drejtës së votës dhe manipulimin e tyre në favor të “sulltanit” turk.
Në të njejtën kohë Basha nuk përmendi në asnjë rresht të përgjigjes së tij faktin që të bëhet normë dhe largimi i kryeministrit për vite me radhë nga posti disa muaj para zgjedhjeve, duke treguar qartë se propozimi i tij është vetëm për rastin e largimit të Ramës nga posti.