Në Bashkinë e Fierit kandidati socialist është me diferencë shumë të madhe me rivalët. Armando Subashi merr 69.71% të votave, ndërkohë që ka një tjetër rezultat shumë interesant. Kur janë numëruar 198 nga 224 qendra votimi rreth 30% e votave ndahen mes dy kandidatëve të së djathtës, me kandidatin e Berishës, Evdar Kodheli që merr 19.35% të votave dhe që lë mbrapa kandidaten e Alibeajt, Eriselda Çelaj me 10.94% të votave.
Në Lushnjë procesi i numërimit ka përfunduar. Sipas rezultateve kandidatja e PS, Eriselda Sefa merr fitoren me 62.64% të votave. Ndërkohë kandidati i Bashkë Fitojmë, Eduart Sharka 37.36%.
Në Bashkinë Roskovec ka përfunduar numërimi. Kandidatja e Partisë Socialiste Majlinda Bufi merr fitoren me 52.52% përkundrejt 47.48% të votave të rivalit të saj të Bashkë Fitojmë Erdit Hazizaj.
Në Mallakastër, e cila mendohet se do të ishte një bashki me rivalitet, kur janë numëruar 38 nga 50 kuti kandidati i PS Qerim Ismailaj kryeson me 51.77% të votave përkundrejt 42.45% të rivalit kryesor Agron Kapllanaj i Partisë Demokratike. Ndërkohë që kandidati i koalicionit Berisha-Meta Resmi Shanaj merr vetëm 5.78%.
Edhe në Bashkinë Divjakë kryeson PS. Kur janë numëruar 48 nga 67 kuti, Josif Gorra i PS kryeson me 56.94% të votave përballë Aurela Malkos të Bashkë Fitojmë me 43.06%.
Në Bashkinë Patos fiton Fation Duro i PS me 69.97%, ndërkohë që Sofije Alushaj i ‘Bashkë Fitojmë’ është e dyta me vetëm 23.50%. Ndërsa kandidatja e PD Pranvera Rizaj vetëm 6.53%.


