Në Laç, punimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri kanë hyrë në fazën e fundit. Aktualisht mësohet se punimet janë përqendruar në ndërtimin e rrjetit të jashtëm dhe të brendshëm, ndërsa po vijon puna për vendosjen e matësave, si dhe aplikimin e sistemit Scada.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga kreu i AKUK, Klevis Jahaj, kryebashkiakja e Kurbinit, Majlinda Cara dhe deputetja Shpresa Marnoj ndoqën nga afër punimet e realizuara, ndërsa i gjithë projekti parashikohet të përfundojë në muajin prill të këtij viti.
Balluku tha se përmes automatizimit rriten mundësitë e monitorimit dhe ndërhyrjes në kohë reale për çdo avari që mund të shfaqet në shpërndarje.
“Kemi nisur këtë reformë që në vitin 2021 me agregimin e ndërmarrjeve nga 58 për ti bërë 16. Ka qenë një bashkëpunim i shkëlqyer me kryetarët e bashkive, me këshillat bashkiak. Kemi pasur mirëkuptim të plotë. Nuk është synimi jonë që të mbajmë këto ndërmarrje, por çështja qëndron që edhe situata financiare, edhe situata teknike e 58 ndërmarrjeve të fragmentuara dhe të copëzuara nuk mund të lihej më të vazhdonte ashtu”, tha Balluku ndër të tjera.
Nga ana e saj, kryebashkiakja Cara u shpreh se ky është një investim i shumëpritur nga banorët pasi merr zgjidhje një problematikë shumëvjeçare e tyre sa i takon furnizimit me ujë të pijshëm.


