“Burrat me kostume, burrat me kravata, me spaleta e kokarda …” Njerëz mos u impresiononi, mos u trembni, mos u ngurosni, nga burrat me kostume nga burrat me kravata, nga burrat me spaleta, me kokarda, me grada, me çallma, me kurora, me dekorata: në një shtrat nga nuk do të ngrihen më kurrë, do të shtrihen një ditë, të vdekshëm, që ne vetë ua dhamë “përjetësinë”: Xhingis Khanë e Sulltan Mehmetë, Stalinë e Enverë, Duçe e Hitlerë, Napoleonë e Robespierë … Të pangopurve për pushtet: O ju që kërkoni pushtet të përhershëm: Jetoni për sa kohë jeni, merrni sa t’u japin e jepni sa të mundni. Kur fuqia, mosha, disfatat, t’u vënë poshtë pranoni zbritjen, humbjen, si çdo qenie e vdekshme, e vetme, pa të cilën, si pa shumë të tjera, bota do të vazhdojë udhën e saj deri sa dikur, bashkë me “kolosët” e të përjetshmit e saj, të humbasë edhe vetë.
KONICA: Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve … Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari. (Albania 16, 15-30 korrik 1898) …
… Andaj te ne nuk ka heronj të vërtetë, ka veç heronj fals apo deheroizëm. Ne nuk kemi ende dikë, së paku në kohërat tona të “ndritura” të pas viteve ‘90, që jo më t’i dalë përpara tankut a topit, a të djegë veten në shesh, për një ideal a një bindje, për atdhe a liri, të drobitet ditë e natë në punë për ta bërë këtë vend, por të paktën të ketë sakrifikuar diçka sado të vogël nga jeta e vet për këtë vend, a për këta njerëz. Sidomos nuk kemi të tillë ndër politikanët a komandantë-liderët tanë të sotëm, që pretendojnë të hyjnë në histori pa na sjellë jo më begatinë, por as të vërtetën e as lirinë e demokracinë e vërtetë. Madje nuk kemi asnjë të tillë që të ketë luftuar së paku “heroikisht” kundër joshjes së lekut, duke sakrifikuar qejfin e duke iu kundërvënë kështu shumicës, a gjithë të tjerëve. Por kemi pasur ama e kemi shumë “heronj komandantë a drejtues” në fron, e shumë pretendentë për fronin e heroit.
Ese 1. Lidershipi: Beteja e fituar, lavdia, zeniti, dehja … dhe më pas drama, rënia, disfata a largimi, e së fundmi takimi me të pashmangshmin, gllabëruesin e gjithçkaje, destinacionin e fundit, Anonimat-Masë. Takimi me atë që pasi i ngre peshë deri në qiell i flak pastaj në harresë, duke i rikthyer në vetminë e njëshit, dhembjen, vuajtjen, tmerrin e mungesës së vëmendjes, harresës …. Që nga lodhja e njerëzve nga tregimet e heroizmave të Jasonit të mitologjisë greke e plakja e tij braktisur nën Argon e rrënuar, që nga ekzekutimi nën brohoritjen e masave që dikur aq shumë e kishin adhuruar të liderit të revolucionit francez Robespierit e deri te vetmia e telefonit të shurdhëruar të Theçerit në pension; përmes mijëra vjetësh kohë, vijnë tronditëse dhembja e trishtimi i heroit të harruar, liderit të plakur, prijësit që pasi udhëheq njerëzit a trimat në aventura e fitore … së fundmi përfundon në harresë. Me dhjetëra, qindra, mijëra a më shumë prijës, liderë, kryepolitikanë e kanë kapur e kapërcyer këtë ylber, zenit, atë triumf e pastaj diku butë-butë e dalëngadalë, e diku tjetër me vrik e me mynxyrë, kanë rënë teposhtë, dikur, diku në vetmi, në terrin e harresës. E megjithatë kurdoherë e kudo, në agimin e shoqërisë njerëzore e deri sot, të gjithë kanë luftuar e luftojnë, shqyhen, copëtohen, vriten me njëri-tjetrin e vrasin të tjerë, të mbërrijnë atje … me çdo kusht atje … Në majë. E duan këtë majë, këtë triumf, këtë iluzion, këtë fitore-me disfatë të sigurt në fund, disfatë fatale aq të ngjashme me jetën, aq pranë fundit të saj. Nuk e dinë vallë? Shpresojnë që jo? Mendojnë përjetësinë a lavdinë? Apo duke ditur përkohësinë, e duan për aq sa janë, për sa të jetë, sa të kenë jetë, ndoshta edhe për të harruar, a shmangur frikën e vdekjes.
Ese 2. Komandantët e demokracisë … – Dhe ja ku erdhën mashtruesit e radhës, hajdutët, politikanët, mediabërësit, shkencëtarët e rremë … hëngrën së bashku në çanakun e radhës gjellën e shijshme të korruptës botërore, vollën mashtrimet e tipit të ri (botëror) dhe ikën e vanë nga kjo botë për t’u lënë radhën pasardhësve të të njëjtit lloj, çuditërisht të njëjtë, e duke përsëritur paradoksalisht po atë histori.
… Në çdo tip shoqërie në periudha të ndryshme, konceptimet për lidershipin e liderin kanë pësuar ndryshime e megjithatë nevoja e ekzistencës së tyre mbetet një fakt i lashtë njerëzor, madje primitiv. Në asnjë shoqëri madje edhe në eksperimentet sociale më interesante, nuk është bërë e mundur deri më sot të jetohet pa të. Autoriteti i individit mbi masën apo grupin mbetet i domosdoshëm deri më sot. Aq e vërtetë është kjo, saqë për të argumentuar përjetësinë e tij, studiuesit janë shtyrë tej, deri në botën shtazore, ku siç dihet edhe elefantët, zogjtë, bletët etj., kanë liderët, udhërrëfyesit, mbretëreshat e tyre me autoritet të padiskutueshëm.
Ndoshta janë vetë diferencat fizike, intelektuale, sociale apo psikologjike të njerëzve që e sjellin këtë. Natyra ofron madje modele deri në botën e bimëve. Ne nuk dimë se sa kohë do të vazhdojë të jetë i nevojshëm lideri, autoriteti i tij, ashtu siç nuk parashikojmë dot me siguri modelin e ardhshëm të shoqërisë. Gjithsesi, edhe për shumë kohë ndoshta ai do të mbetet.
… Një psikolog i kohërave tona vë në dukje dy rreziqe për njerëzimin e sotëm: zhdukjen e drejtësisë nën ndikimin e shtrirjes tej mase të autoritetit diktatorial dhe të anasjellën, rrënimin e autoriteteve sociale nën ekseset e demokracisë.2000 vjet më parë, Aristoteli shkruante se ekzagjerimi i principit të demokracisë e rrënonte atë, ashtu sikurse ai i oligarkisë oligarkinë, duke i kthyer drejtuesit e tyre në të dëmshëm për shoqërinë. Thelbi, siç duket, s’ka ndryshuar. Mbetet pra ende e nevojshme të njihet mirë lideri, “komandanti” e varianti i tij më fatal e i rrezikshëm, diktatori, nënvariantet e llojit të diktatorëve në demokracitë në zhvillim, psikologjia e tyre mbi bazën e përvojës së gjatë të njerëzimit e të fakteve të së sotmes.
Sipas psikologjisë moderne, lidershipi është procesi i influencës sociale, nëpërmjet të cilit një individ (lideri), është i aftë të sigurojë ndihmën e mbështetjen e njerëzve për ta ndjekur në realizimin e projekteve a ideve të caktuara. Lideri është mbartës i këtij procesi. Ai është faktor bazë në jetën sociale, ecjen e progresin e saj. Ai vë në lëvizje, transformon potencialin mendor e fizik të një grupi njerëzish a të një populli për arritje të caktuara. Lideri, ai i vërteti, krijon dhe çan rrugë e ide të reja, aty ku të vjetrat humbin efektivitetin e tyre.
Dikur teoritë psikologjike mbi liderin mbështeteshin kryesisht te personaliteti i liderëve të mëdhenj, mitikë, të lindur, te veçoritë e spikatura të tyre si inteligjenca, vizioni, talenti, energjitë, vetëbesimi, vullneti, karizma, autoriteti, aftësia inspiruese etj. Në psikologjinë e sotme, veç këtyre tipareve, shihen mjaft faktorë të tjerë përcaktues në formimin e suksesin të liderëve. Kështu, sipas mjaft psikologëve, lideri nuk lind, por formohet nëpërmjet të mësuarit, vëzhgimit etj. Madje, sipas disa të tjerëve nuk ka liderë të përshtatshëm për çdo situatë, por liderë të veçantë për situata të veçanta. Kështu ka liderë më të aftë për të drejtuar në situatë lufte, të tjerë për situata paqeje a rindërtimi etj. Sipas tyre koha, rrethanat, krijojnë liderin e duhur. Situata të ndryshme kërkojnë karakteristika të ndryshme të personalitetit të liderit. Për rrjedhojë nuk ekziston profil optimal psikografik i liderit. Te ne për 45 vjet është bërë gjithçka për të kultivuar profilin optimal psikografik të diktatorit. Pas rënies së komunizmit jo vetëm pjesa më e indoktrinuar e njerëzve, por madje edhe ajo pjesë që mendonte disi me mendjen e vet, ishte gjithashtu e inonduar me imazhin perfekt, gati hyjnor të udhëheqësit që dinte e bënte gjithçka. Për këtë pothuajse cilido e mendonte të pamundur që dikush mund të zinte vendin e tij. Kudo në kampin komunist, udhëheqësi i partisë, njëherazi i shtetit, jepej aq shpesh e aq i mistifikuar nga media, propaganda e tërë sistemi i përcaktuar totalitar, saqë figura e tij bëhej sugjestionuese. Sidomos për një popull të rritur në injorancë si yni, në izolim, e kontroll të rreptë të shprehjes a dëshirës më elementare a deri të mendimit, idiolatria arrinte deri në çmenduri. Diçka e ngjashme, pothuaj e njëjtë me atë që ende shohim sot në Korenë e Veriut. Dukej sikur kurrkush nuk do t’i largonte këta “supernjerëz” nga skena e askush nuk do të mund t’ua zinte vendin. Por koha e solli që në skenën e lidershipit, pas rënies së diktaturave, sidomos në vende me një traditë sado të ndrydhur a të harruar kulture demokratike, pa dyshim shumë më të kultivuar se e jona si Çekia, Polonia etj., u shfaqën njerëz të aftë për të drejtuar e menaxhuar vendin. Shumë shpejt ata u kultivuan e u sofistikuan, përftuan përvojë e shfaqën cilësi të vërteta lideri a së paku drejtuesi shteti.
Në Shqipërinë e mungesës pothuajse totale të traditës demokratike, dukej shumë herë më e pamundur që dikush do të mund të shfaqej si lider i vërtetë e do të mund ta komandonte vendin pas dominimit të gjysmëperëndive të servirura në gjysmëshekulli diktaturë. Një pjesë e mirë e atyre që u shfaqën si kandidatë për të udhëhequr, në fillimet e viteve ‘90, as e kishin menduar se do t’u vinte ndonjëherë rasti të luanin rol lideri. Por edhe në këtë vend, dikujt rastësia, dikujt guximi për t’u hedhur në aventurë, e dikujt tjetër paracaktimi i paraardhësve, ua dhuroi pushtetin e mundësinë për të komanduar. Shumë shpejt, këta njerëz, edhe nën ndikimin e medias, propagandës, sugjestionimit të njerëzve e më pas pompimit prej tyre, nevojës që kishin njerëzit për favore prej tyre etj., morën hijen e liderit, mësuan së paku në formë, të operojnë si drejtues dhe u rivendos sërish raporti udhëheqje-masë. Në të vërtetë pjesa më e madhe syresh mbetën komandantë gjysmëdiktatorë, me tendencë për të grumbulluar sa më shumë pushtet vetëm në një dorë, në dorën e tyre.
Një lloj i veçantë komandantësh të demokracisë, ardhur në këto kohëra me reminishenca të qarta të kohës së diktaturës. Duke u përpjekur të marrin manierat, veshjen e liderëve të vendeve europerëndimore, por pa arritur te thelbi, vizioni i tyre për drejtimin e shtetit. Kësisoj pati goxha progres në formë, por në thelb mbetëm te komandantët. Edhe për shkak të reminishencave të së kaluarës, e interiorizimit dashur pa dashur të figurës, mentalitetit, personalitetit të të vetmit Komandant, diktatorit që sundoi Shqipërinë për gjysmëshekulli, si i vetmi model i përsëritur e i mësuar më mirë. Natyrisht jo aq në terma dhune, por gjithsesi në tipare të personalitetit si autoriteti, arroganca, hakmarrja, kontrolli mbi gjithçka në raportin kompetencë a fuqiinteres. Së paku te dy drejtues partish te ne, këto janë shprehur jo rrallë, jo vetëm si aspiratë a potencial, por edhe të shfaqura në praktikën e drejtimit të tyre. Natyrisht jo e realizueshme gjerësisht, për shkak të sistemit të ri e integrimit gradual në botën demokratike. Pas ardhjes në pushtet të komandantëve të postdiktaturës, filloi, e vazhdon të ndodhë te ne, ndonëse në përmasa më të vogla, një proces mediatizimi e amplifikimi i figurës së liderit-komandant që pothuajse në gjithë këtë periudhë prej rreth tri dekadash, ka reflektuar në një përmasë të madhe një mërzi, lodhje a gati neveri të paparë të publikut për ta e për ekranin që i ekspozon pareshtur. Falë ekzistencës së opozitave e mediave deri diku të lira, ose thjesht mbrojtëse të interesave të kundërta a të ndryshme nga ato të partive në fuqi, ky delir tentohet të frenohet disi. Gjithsesi ai vazhdon të jetë i pandërprerë e të influencojë sidomos popullsinë jo të vogël në numër, të zonave rurale, të varfra apo dhe të njerëzve me nivele të ulëta kulturore që takimet me udhëheqësit partiakë i përjetojnë si evenimente emocionuese. Në ekran vërehet jo rrallë që edhe reagimi, brohoritja, mënyra e shprehjes së këtyre njerëzve, e të folurit a dialogimit me komandantët e sotëm të demokracisë, është së paku në formë e njëjtë, apo një lloj karikaturizim i të folurit të dhunuar a të detyruar të atëhershëm për e me partinë e diktatorin. Jo rrallë shpëtojnë nga goja e audiencës shprehje të tipit: “Të na rrojë Partia me në krye ju shoku …” apo krahasime të drejtuesve të sotshëm me figura të mëdha historike si Skënderbeu etj.
Në kohërat e sotshme, psikologët vënë në dukje si thelb të lidershipit jo vetëm tipare të tij si inteligjenca a prirjet, por sidomos ndërveprimin lider-pasues, shkëmbimin ku lideri jep detyrat, këshillat, mbështetjen, shpërblimet dhe pasuesi jep respekt, kooperim, angazhim në detyrë dhe performancë të mirë. Brenda këtij ndërveprimi, konsiderohet, si prioritar tipari që sot në psikologji studiohet e i jepet prioritet jo vetëm për liderin, por edhe për çdo njeri që kërkon të arrijë suksesin në jetë. Ky tipar njihet me emrin inteligjencë emocionale. Kjo inteligjencë konsiston në njohjen e psikologjisë së tjetrit dhe kooperimin, ndërveprimin me tjetrin mbi bazën e njohjes, të kuptuarit të saj, e të asaj çka i shkon asaj psikologjie të tjetrit, çfarë kërkon, çfarë ndien e çfarë i duhet atij njeriu: zgjedhës, bashkëpunëtor, vartës etj.
Sot madje është vërtetuar statistikisht që një pozicion i lartë pune i tipit CEO (Drejtues Ekzekutiv i një kompanie biznesi), arrihet më me sukses nga njerëzit që zotërojnë një nivel më të lartë inteligjencë emocionale se sa kulturë e njohuri, në raport me ata që anasjelltas kanë më shumë njohuri sesa inteligjencë emocionale. Në rastin e liderit, mbi bazën e kësaj inteligjence bëhet përshtatja e axhustimi i raporteve lider-vartës, lider-shtresa popullsie, lider-individ. Këtu për liderin ka rëndësi ndërtimi i raportit të drejtë me bashkëpunëtorët, ku ndër ta dallojmë grupet e afërta a të brendshme, in-groupe-t (grupet e brendshme) më të lidhura me liderin, më pranë tij, dhe grupet më të largëta, out-group-et (grupet e jashtme). Të parët shihen nga lideri si më kompetentë e më me përvojë dhe kanë më shumë përgjegjësi, detyra speciale, por edhe shpërblehen më mirë, marrin më shumë vlerësime, poste e ofiqe, krijojnë lidhje të forta e kanë backgrounde e interesa të përbashkëta me liderin. Të dytët (out-groupe), marrin më pak vëmendje prej tij dhe ai mban më shumë distancë syresh. Për ta, ka më pak vlerësim e lideri tenton të operojë me ta më shumë nëpërmjet autoritetit formal. Gjithsesi ata janë të nevojshëm dhe lideri kërkon që ata t’u binden gjithnjë kërkesave të tij. Ata janë më pak të kënaqur me postet e punën e tyre e kërkojnë gjithnjë më shumë. Lideri luan me ta me joshjen e promovimit e ngjitjes së tyre në poste të larta. Këto tipare pothuajse nuk njihen a janë të rralla te drejtuesit (komandantët) e sotshëm shqiptarë. Ata përgjithësisht operojnë nëpërmjet urdhrit e autoritetit absolut, mbajnë pranë e operojnë më të bindurit, servilët, pak rëndësi ka sa të paaftë janë këta. Ata pothuajse nuk marrin parasysh psikologjinë e vartësit a bashkëpunëtorit. Në udhën drejt karrierës, ashtu si edhe në kohë të shkuara, te ne vazhdon të bëjë më tepër punë jo inteligjenca emocionale e as kultura, as e liderit e as e vartësit që kërkon të ngjitet, por një opinion i mirë i liderit krijuar nga servilizmi, mjeshtëria e të rënit në sy, e kacavarjes së vartësit drejt tij apo dhe përkatësia e tyre në të njëjtin grup a ish-kastë.


