Ka një kulturë fataliste, gjithnjë e më mbizotëruese opozitare në Shqipëri, që e kërkon rikthimin në pushtet nga gjithçka e gjithkush tjetër, përveçse jo nga vetja. Është për këtë arsye se përse debati po bëhet mbrapsht. Pyetja që po shtrohet, nuk është se përse duhet të rikthehen PD dhe LSI, por vetëm se përse duhet të iki PS. Askush nuk mer përsipër të tregojë sesi do qeverisë ndryshe opozita? Apo pse duhet që pas 8 vjetësh, të rikthehen po Berisha, Basha dhe Meta e Kryemadhi që ikën në 2013? Opozitarët tanë nuk kanë asnjë figurë të re për të promovuar. Për të na e treguar si profilin, modelin, njeriun, portretin, alternativën, burimin e ri njerëzor që do jetë ndryshe nga çdonjëri prej përfaqësuesve të ekipit qeverisës dhe drejtues të PS. Por, kanë gati për secilin prej kundërshtarët një sharje, një fyerje, një meme, një fake news, një fjalë të pisët…
Opozitarët edhe kur djegin mandatet e tyre të besuara nga populli opozitar, presin që ndërkombëtarët ti brohorasin. Edhe kur ikin nga Parlamenti, duan që diplomatët të fajësojnë për këtë Edi Ramën. Edhe kur dalin nga sistemi politik e demokratik i vendit, presin që ambasadorët të fajësojnë mazhorancën. Edhe kur çdekretojnë datën e zgjedhjeve, edhe kur bëjnë revolucionin e molotovëve, edhe kur djegin shkollat ku do votohet, edhe kur bojkotojnë zgjedhjet e 30 qershorit 2019, presin që SHBA dhe BE ti thotë “bravo”!
Presin që ti inkurajojnë edhe kur kërkojnë që ta fitojnë pushtetin në tavolinë. Presin që ti thonë oburra ecni përpara, edhe kur kërkojnë që të provokojnë një krizë artificiale politike në Shqipëri. I keni parë sesa agresivë janë kundër ndërkombëtarëve liderët politikë të opozitës. Ish deputetët e saj. Mediat, analistët, gazetarët dhe propoganda e PD dhe LSI. I keni parë sesi duatrokasin të rinjtë e forumeve të tyre rinore kur u shkojnë ambasadorëve perendimorë nëpër shtëpia e u shkruajnë nëpër muret e pallateve, kur i kërcënojnë me nxjerrje përgjimesh, fotosh dhe videosh të skandaleve dhe aferave të supozuara, që nuk u vërtetuan kurrë.
Opozitarët tanë nuk kanë as program, as alternativë, as kauzë, as ide, as projekt, as ekip të ri, as frymë ndryshimi dhe asgjë tjetër që i duhet një force politike për tu rikthyer në pushtet. E në vend që të punojnë për këtë, shajnë natë e ditë nëpër rrjetet sociale gjithkënd, që u thotë se kështu nuk keni gjë në vijë dhe se përkundër kësaj, PS do të fitojë mandatin e tretë. Opozitarët tanë kishin vetëm një mundësi këtë radhë, për ta mundur të majtën dhe të riktheheshin në pushtet, pas 25 prillit 2021. Të ishin të gjithë bashkë, pavarësisht nëse sot janë, brenda apo jashtë Parlamentit. Për ta shndërruar ditën e zgjedhjeve, në një referendum pro ose kundër Edi Ramës. Pro, ose kundër PS. Pro, ose kundër mazhorancës socialiste.
Por, sa më shumë i afrohemi fillimit zyrtar të fushatës elektorale, aq më shumë kuptohet se janë larg kësaj mundësie. Sepse opozita është e përçarë, e fragmentarizuar, pa frymëzim, pa qëllime kaq të larta demokratike. Liderët e saj, thjeshtë janë ca politikanë që bëjnë kalkulime banale politike, thjeshtë dhe vetëm në interesin e vockël personal dhe të partisë që përfaqësojnë. Për aq kohë sa Edi Rama ka aftësinë që ti shndërrojë fushatat elektorale, në referendum kundër të gjithëve që ka përballë, do ti mundë ata përsëri. Ndryshe nga ata që e presin, ai e përgatit fitoren e tij, ndaj edhe e mer në fund. Opozitarët tanë, e presin fitoren e vet nga gjithkush tjetër, përveçse nga vetja!
Alpenews.al