Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, ka thënë se ndryshimi i sistemit zgjedhor në Shqipëri është një kërkesë e vjetër ditët e sotme.
Ai tha se është pro, por duhet që liderët politikë të ulen në një tryezë më të madhe se sa ajo e Këshillit Politik, pasi është një çështje komplekse.
Bashkëanëtari i tryezës për Reformën Zgjedhore, tha për gazetaren Nisida Tufa se ka disa modele për një sistem zgjedhor, dhe e mira është që të vendosin shqiptarët se cilin model duan.
Tufa: Pse nuk pati ndryshim sistemi dhe lista të hapura?
Vasili: Së pari, për mua si individ dhe si politikan, kjo është një kërkesë e vonuar. Të gjithë e mbajmë mend kur 9 ditë e 9 netë është protestuar në rrugë, me Ilir Metën sot president i vendit, për të ndryshuar sistemin. Dhe kanë thënë le të ngordhin atje në grevë urie. Kjo çështje duhet të riciklohet në mënyrë të re. A jemi gati ne tani të ndryshojmë sistemin, apo duhet të pyesim shqiptarët se mbase nuk e pëlqejnë këtë sistem dhe duan një sistem tjetër. Ta hedhim me referendum them unë. A do bëhet me lista të hapura apo të mbylura? Ndaj diskutimi duhet të jetë shumë më i gjerë, jo brenda një tavoline, pasi nuk do riciklonte asgjë të re. Sepse ka disa modele, nëse unë do zgjidhja një model, a do ishte ky model që do donin gjithë shqiptarët? Tavolina e Këshillit Politik është shumë e vogël për të vendosur ndryshimin e sistemit.