Një nga ankesat më të mëdha që ka lidershipi i opozitës sonë të rrugës, është ajo që lidhet me mungesën e reagimit të ndërkombëtarëve, për ato që ajo i konsideron si skandalet e mëdha që po i publikohen qeverisë Rama.
“Disa ndërkombëtarë mbyllën sytë para shkatërrimit të themelit të demokracisë dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme”,- tha një përfaqësues i lartë i LSI, duke iu referuar përgjimeve të bëra publike nga “Bild”-i gjerman, pjesë e “Dosjes 184” të zgjedhjeve të pjesshme lokale në bashkinë Dibër. Për të qenë të sinqertë, jo disa por të gjithë ndërkombëtarët i kanë mbyllur sytë dhe askush nuk ka reaguar, e as nuk ka për të reaguar ndonjëherë për këtë dhe shumë çështje të tjera si këto.
Ka të paktën PESË arësye për këtë:
E para, sepse opozita jonë e rrugës është e fundit që mund të predikojë për shkatërrimin “e themelit të demokracisë”, ndërkohë që ajo ka 4 muaj që i ka vënë kazmën asaj. Sepse ka djegur mandatet e deputetëve dhe ka dalë nga një Parlament i krijuar nga zgjedhjet e çertifikuara nga KQZ, OSBE/ ODIHR dhe 35 mijë vëzhguesit vendor dhe të gjithpranuara nga PD e LSI vetë më 2017.
E dyta, asnjë nuk të mer seriozisht kur predikon për “zgjedhje të lira e të ndershme”, kur je grupimi i parë politik në botën e demokracive moderne, që firmos një marrëveshje për të mos hyrë në zgjedhje. Nuk ka ndërkombëtar në botë që të mbështesë një grupim partish që dalin nga institucionet demokratike dhe sistemi politik i vendit. Askush nuk të bëhet aleat për të mbrojtur me ty, parimet të cilat i ke shkelur vetë me të dyja këmbët.
E treta, nuk ka ndërkombëtar në botë që të kuptojë disa liderë politikë që nuk shkojnë vetë asnjëherë të paraqiten përpara drejtësisë kur ajo i kërkon zyrtarisht, e nga ana tjetër, të jetë në krahun tënd kur ti bën hetime partiake, politike, publike dhe më pas gjyqe mediatike dhe ndërmer fushata linçimi ndaj kundërshtarëve politikë për qëllime të pastra, të një lufte të pisët për pushtet.
E katërta, asnjë ndërkombëtar nuk i beson një grupimi politik njerëzish që kërkojnë të shantazhojnë mazhorancën legjitime për reformën e drejtësisë së re, me abuzimin skandaloz të shitjes dhe nxjerrjes së dosjeve dhe sekreteve hetimor në pazar për qëllime të një lufte politike, nëpërmjet prokurorëve simbole të drejtësisë së vjetër.
E pesta, asnjë ndërkombëtar as ka për të parë, e as ka për të dëgjuar ndonjëherë një grupim të dëshpëruar njerëzish politikë, që kanë në krye të tyre një President Republike që për herë të parë në histori i anullon qyetarëve të vet, ditën e zgjedhjeve pa u caktuar një datë të re brenda afatit kushtetues. I cili më pas u thotë përfaqësuesve të BE në Tiranë, se nëse Qeveria Legjitime e Edi Ramës nuk ikën që ti lerë vendin partisë së bashkëshortes së tij dhe aleatit të saj të marë të pandehur zyrtarisht nga Prokuroria për lobim me para ruse, do ti japi urdhër ushtrisë që të ndalojë popullin të votojë më 30 Qershor.
E gjithë bota e di, se e gjitha çfarë po bën sot opozita e rrugës në Shqipëri, nuk është një luftë as për demokraci, as për liri e as për parime. Por, për mbijetesë politike. Me çdo çmim e mjet. Për të vetmin qëllim: Ti shpëtojnë ndëshkimit të drejtësisë së re, për korrupsionin dhe krimet e 30 viteve të shkuara. Shqiptarët e dinë shumë mirë këtë. Ndaj po presin të qetë 30 Qershorin. Që të firmosin verdiktin e tyre. Kjo e tmerron më shumë se gjithçka tjetër, “katërshen” e lidershipit të opozitës së rrugës!
/Marrë nga Alfred Pez@, blogu personal