Partia Socialiste la pas bojkotin dhe u kthe në mbledhjen e Komisionit Hetimor për rrjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS. Palët arritën dakordësinë, duke miratuar kështu kërkesat për informacion që do t’u dërgohen institucioneve.
PS bojkotoi mbledhjen e 15 prillit me argumentin se kryetari Ervin Salianji po shkel ligjin duke miratuar vendime të njëanshme. Por opozita dhe mazhoranca kanë arritur konsensusin dhe kërkesat për informacion të miratuara sot janë dakordësuar me 4 ekspertët.
Nënkryetari Toni Gogu deklaroi se PS është e vendosur që të vijojë hetimin, por duke respektuar ligjin dhe larg retorikës politike.
“Për të treguar vullnetin tonë të palëkundur për të hetuar, kursyem retorikat politike dhe gjithë kohën e vumë në dispozicion të veprimeve proceduriale. Kaq ishte e gjitha, Ervin. Nuk merr shumë kohë të zbatosh ligjin dhe koha vihet në dispozicion të hetimit dhe punës së ekspertëve për të përgatitur planin hetimor”, deklaroi Gogu.
Përgjigjen ia dha kryetari Ervin Salianji, i cili i tha se është e vështirë që puna e komisionit të bllokohet.
Nëse ka vullnet po, puna e çdo komisioni ecën në shinat e kushtetutshmërisë. Ua thash që do jemi prapë këtu, ky komision është i vështirë të bllokohet. Ja ku kaluan kërkesat informacion,. Shpresoj të mos kemi të njëjtat sherre lidhur me planin e hetimit dhe dëshmitaret. Çdo kërkesë e juaj do pranohet”, tha Salianji.
Kërkesat për informacion, të përgatitura nga eskpertët, do t’u dërgohen Besnik Dervishit, komision për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale, Taulant Ballës, ministër i Brendshëm, Muhamet Rrumbullakut, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kreut të SPAK Altin Dumanit dhe institucioneve të tjera informacionet nga të cilët i shërbejnë hetimit parlamentar.