Ish-kryeministri Sali Berisha tha nga Përmeti se përballë rritjes së çmimeve demokratët duhet të dalin në protesta masive që të përballen dhëmbë për dhëmbë me këtë regjim.
Berisha u shpreh se kjo duhet të vijë pas bashkimit si një sakrificë për të shkuar drejt zgjidhjes. Duke folur për krizën në Partinë Demokratike, Berisha u shpreh se Basha dha dorëheqjen duke mbajtur përgjegjësi për këtë situatë si dhe humbjet e njëpasnjëshme.
Më informojnë nga Porti i Durrësit që fluksi i naftës kontrabandë nuk ka të sosur. Dhe kur del tani pas 10 vitesh konsumi i naftës 600 mijë ton ndërkohë që në 2012 konsumonim 700 mijë ton. Si u pakësua kjo? Çfarë ndodh këtu? Ndodh që nëse ndodh problem në një vend kryeministri del e thotë që do të rritet çmimi i naftës. Me bukën e njëjta gjë. Ne e dimë se çfarë është shporta. Ka një zgjidhje. Nuk ka nevojë të shpikës. U rrit buka 20 lekë ta zëmë çdo shqiptari duhet t’i japësh 20 lekë në dorë. Nuk do vësh tavane. Se po vure tavane zbrazen dyqanet.
Ai jep një thes me fjalë dhe mashtrime. Ku jemi ne? Problemi është se qeveria i bën këto sepse ne duhet të jemi në rrugë, në protestë. Në përballje dhëmbë për dhëmbë me këtë regjim. Që të përballemi ne duhet të bashkohemi. Sakrificat janë thirrje për bashkim. Patëm një krizë ne. Nuk e mohoj. Një krizë të rëndë. Por kjo krizë po shkon drejt zgjidhjes. Njeriu që e krijoi dha dorëheqjen. A e keni parë dje dhe sot selinë. A mundet një njeri normal mbi tokë të bëjë blindime. Unë nuk dua të merrem me të sepse e mori përgjegjësinë e tij. Ka përgjegjësi më të madhe se aq sepse kaloi nga humbja në humbje”, tha Berisha.


