Kryetari i Partisë Demoktatike Lulzim Basha i është zotuar shqiptarëve se do të rrëzojë kundërshtarin e tij politik Edi Rama.
Basha ka qenë në Vlorë nga ku ka dërguar mesazhin se pjesëmarrja në protestën e paralajmëruar më 27 janar do të jetë masive dhe se pas kësaj sipas Bashës shefi i qeverisë do dorëhiqet për t’i liruar vendin një qeverisje më të mirë.
“Qytetarët në këmbë me pjesëmarrje masive popullore do të jenë mesazhi më i qartë, që do të flasë më qartë se çdo fjalim politik. Se sundimi i krimit, se sundimi i Edi Ramës dhe bandës së tij në Shqipëri kanë marrë fund dhe janë të papranueshëm.” u shpreh Basha.
Më tej Basha tregon edhe se si do t’i qeverisë shqiptarët pasi të rrëzojë qeverisjen Rama.
“Ky është plani. Ky është vendimi. Kjo është vendosmëria e demokratëve. Tu japë shqiptarëve një qeveri e cila paratë nuk i çon tek oligarkët por i çon tek qytetarët. Çmimi energjisë, çmimi i naftës, çmimi i ujit, çmimi i ushqimeve bazë janë shqetësime themelore të njerëzve. Papunësia, varfëria, mungesa e shpresës janë pasojat e drejtpërdrejta të këtyre mënxyrave që janë dhurata dhe prodhimi i vetëm i Edi Ramës për popullin.” theksoi Basha.
Më tej ai tha se një qeveri e zgjedhur nga krimi nuk ka prioritet të zgjidhë problemet e qytetarëve.
“200 milionë është borxhi total i shqiptarëve ndaj KESH-it. 200 milionë është fatura që shqiptarët paguajnë vit për vit për 5 koncensionarë, për 5 derra të krimit dhe korrupsionit që ndajnë paratë me Edi Ramën. Nuk ka asnjë arsye pse një qeveri që e ka lidhur fatin me njerëzit të mos ndërpresë menjëherë këtë marëdhënie kriminale korruptive, të shlyejë borxhin ndaj KESH-it dhe të çlirojë qindra e mijëra familje shqiptare nga zgjedha e kamatave të padrejta të KESH-it apo nga mënxyra e rritjes së çmimit të ujit.” u shpreh kreu i opozitës.(TemA)


