Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj kundërshtimeve dhe protestave për projektin e investimit në zonën e Zvërnecit, duke deklaruar se nuk është i gatshëm të heqë dorë nga vizioni i tij për zhvillimin e vendit vetëm për të ruajtur pushtetin apo për të shmangur kritikat.
“Deri duke bërë thirrje për të mbrojtur atdheun në rrezik. Pikërisht se e kuptoj shumë mirë të tërë këtë, edhe zemërimin tuaj, kam dy ditë që e pyes veten dhe po flas hapur, a duhet t’ua tregoj një e nga një anën tjetër të kësaj medaljeje me prioritetin e lartë që ju të mos besoni dhe të më vazhdoni të thoni tradhtar, të shitur sa te të huajt e oligarkët, apo mos vallë të them më falni, gabuam, nuk e gjykuam mirë këtë punë dhe projekti anulohet dhe ju të shijoni fitoren e një kauze, që e parë nga ana juaj e medaljes është fisnike dhe të mendoni se e mbroni Shqipërinë nga një e keqe e madhe, ndërsa unë të vazhdoj të rri në karrige, dhe të shtyj kohën e pushtetit me shijen e hidhur e një humbjeje të madhe për Shqipërinë, për ju, për fëmijët e Shqipërisë që do të jenë fituesit e këtij investimi. Pse duhet ta bëj unë këtë për pushtetin, karrigen apo për baltën që marr në fytyrë dhe që më vjen përditë mbi të gjallët e të vdekurit e shtëpisë time prej vitesh nga kundërshtarët politikë e mediatikë që i kam duruar dhe duroj se këtë mision e mbaj përsipër ende edhe në emër të shumëkujt nga ju që më ka besuar votën dhe i është bashkuar zemëratës në rrjete sociale duke më tregua me gisht si prurësin e një fatkeqësie të madhe kombëtare. Çfarë më duhet karrigia e pushteti nëse duhet të heq dorë nga vizioni që kam ndarë me ju gjithë këto vite, gjithë këto vite duke nisur nga Shqipëria e 2 milionë turistëve, ku edhe parardhësi im numërohej si turist sa herë hynte e dilte nga vendi për shërbime. Të heq dorë nga ambicia për ta bërë Shqipërinë një vend që të mos ketë zili askënd, për cfarë më duhet pushteti që të qetësoheni ju dhe më pas të vazhdoni jetën normalisht sic është e natyrshme dhe pasnesër, në vend të atij investimi të jashtëzakonshëm të bëhet copëtimi i radhës, Golemi i radhës se ju do të rroni më shumë se unë dhe do të shikoni se aftësia dhe kurajoja për ta rikthyer Shqipërinë te Golemi është e gjallë dhe e gatshme, po t’i bjerë prapë në dorë Shqipëria.”, tha Rama.


