Daniel Drobaj, 18-vjeçari i arrestuar për plagosjen e efektives së “Shqiponjave” Ina Nuka, pasi në drejtim të saj hodhi një kapsollë, rezulton se është ndaluar nga policia dje pak çaste pas protestës së dhunshme para Kuvendit.
Report TV siguron videon e momentit të ndalimit të 18-vjeçarit pranë “Ushtarit të Panjohur” nga disa policë.
Aty mbërrin edhe automjeti i një patrulle policie për ta shoqëruar në komisariat të riun e dhunshëm.
Por në ndihmë të tij mbërrijnë të afërm, përfshirë edhe të atin, protestues dhe deputetë të LSI si Luan Rama, Endrit Braimllari dhe Floida Kërpaçi.
Ata arrijnë t’ia heqin policisë nga duart Drobajn, ndërsa nuk mungojnë as aktet e dhunës në drejtim të efektivëve të uniformave blu, të cilët goditen nga protestuesit e tjerë.
Pas disa minutash tensioni policia vendos mos ta shoqërojë 18-vjeçarin, dhe kur e lirojnë pas ndërhyrjes së deputetëve të opozitës, në tension e sipër ai sërish tenton të godasë policët.


