Policia e Tiranës ka nisur procedim penal per redaktorin e Rilindja Demokratike Bledi Kasmi dhe procedim ne gjendje te lire per protestuesit e tjere të cilët kundërshtuan me dhunë punonjësit e Rendit, gjatë tubimit të së shtunës para Ministrisë së Brendshme.
“Procedimi ndaj tyre filloi, pasi në datë 26.05.2018, rreth orës 12:00, para godinës së Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme, në protestën e organizuar nga Partia Demokratike, kanë ushtruar dhunë fizike, duke goditur dhe shtyrë punonjësit e Policisë, të cilët ishin të planifikuar me shërbim”, tha zyrtarisht Policia e Tiranës. Ndërsa mësohet se akuzat e ngritura ndaj 31 protestuesve janë ato të “Kundërshtimit të punonjësit të Policisë i kryer në bashkëpunim”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Shkatërrim prone”.
PLAGOSJA E POLICEVE
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ishte të shtunën në ambientet e Spitalit të Traumës ku pa nga afër situatën e efektivëve të lënduar. Veliu falënderoi efektivët e Policisë për vetëpërmbajtjen e treguar. Ai deklaroi se forcat e Rendit kanë bërë detyrën.
“Janë 11 punonjës të lënduar nga gurë apo sende të tjera të forta. Gjendja e tyre është e mirë. Dua të falënderoj jo vetëm Policinë që tregoi maturi për përballimin e tubimit, por edhe FNSH që menaxhuan këtë aktivitet. Mund të them me plot gojën që Policia e Shtetit ka bërë detyrën”, tha Veliu për gazetarët. Drejtori i Policisë ka komentuar dhe dhunimin që i është bërë kryeredaktorit të gazetës RD. Ai tha se në spital kishte vizituar dhe gazetarin, ndërsa shtoi se nga pamjet filmike qytetarët mund të gjykojnë nëse ka gabuar Policia. Gjithashtu, Veliu tha se do të kryhen verifikime për punën e Policisë gjatë protestës për çdo rast kur ka pretendime se forcat e Rendit kanë shkelur ligjin.
MINISTRI I BRENDSHEM
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj reagoi pas protestës, por nuk deshi të komentonte gjatë tubimin e opozitës, e cila u shoqërua edhe me disa incidente. Ai zgjodhi të përgëzojë vetëm efektivët e Policisë së Shtetit, që ishin në detyrë për mbarëvajtjen e saj. “Vlerësim i veçantë e respekt për gjithë shërbimet e Policisë së Shtetit të angazhuar në sigurinë e mbarëvajtjen në tërësi të tubimit të opozitës. Profesionalizmi dhe qetësia në përmbushjen e detyrave të ngarkuara në këtë rast: shenjë e respektit për ligjin dhe interesin qytetar”, shkruante Xhafaj ditën e shtunë në profilin e tij në “Twitter”.
Ndërkohë, në lidhje me protestën, Policia e Shtetit njoftoi se janë lënduar 11 efektivë, të cilët morën mjekim në Spital. Për këtë, Policia reagoi përmes një deklarate zyrtare, duke paralajmëruar edhe nisjen e procedimeve për shkaktarët e dhunës në protestë. Përplasja ndodhi para godinës së Ministrisë së Brendshme.


