Disa dhjetëra gazetarë kanë dalë sot para Parlamentit, për të protestuar kundër projektligjit për shpifjen.
Projektligji kundërshtohet nga gazetarët, me argumentin se i jep fuqi AMA-s që të gjobisë e mbyllë portalet, ndërkohë që OSBE një ditë më parë deklaroi se projektligji është në përputhje me standartet ndërkombëtare, pas rregullimeve të fundit.
Si zakonisht, në krye të çdo proteste, edhe pse nuk ka lidhje me të, ka dalë ish-drejtori i LSI, Besjan Pesha, fansi i Berishës, Erion Kristo, ndërsa Altin Goxhaj mungonte, se ishte sëmurë.
Por atë e zëvendësonte Ilir Vrenozi i Korçës, i bërë i njohur se shan Ramën në FB.
Kristo i ka kërkuar së pari kryeministrit Edi Rama të bëjë transparencë për “ERTV-në”.
“Mua më lind e drejta të them ERTV financohet nga ISIS. Nëse do të dënohem të them fjalën që ai ka thënë… kjo s’do të ndodhë ë por po themi… se ai ka gjithë atë media.
Unë s’e di ku i gjen ato para. O na i merr ne nga shkollat e fëmijëve tanë, tavanet e rëna të shkollave, investimet që s’po bëhen o nga ISIS. Këtu ka rëndësi më shumë fotografimi sesa puna.
Të bëjë transparencën e medias së vet, të shpjegojë ku e ka liçensën ERTV-ja, pasi të bëjë transparencën e vetes së vet, i pari që do e mbështesë do jem unë.
Por pasi të japë llogari. Askush s’mund ta prekë fjalën e tij, por ai mund ta prekë fjalën tonë.
Si e vërteton ai që mediat këtu financohen nga Rusia? Ky ministri i rendit të Brendshëm ku është këtu, që ISIS bënka valle këtu. Çfarë veprimtarie kanë nxjerrë?
Nëse këtu rusët financokan mediat dhe ISIS financoka mediat, kush mban përgjegjësi për këtë? Kështu që ditën e parë që miratohet ky ligj, do e padisim për shpifje.
Të gjitha nenet janë antikushtetuese. T’i japësh një pushtet ekstra një institucioni që nuk ka treguar asnjë lloj dinjiteti.
Miliona euro të taksapaguasve shqiptarë u kanë kaluar mediave private. Pse nuk kanë bërë një investigim për këtë, pse nuk ka asnjë dënim?”, tha Kristo.
Analisti Enton Abilekaj, i cili gjithashtu është i pranishëm në protestën për mediat, ka deklaruara se nuk do ta njohë këtë ligj edhe sikur të miratohet, me çfarëdolloj kostoje.
“Nuk do ta njohim këtë ligj me asnjë lloj kostoje, qoftë edhe me koston e burgosjes.
Le të mbyllë gazetarët, të mbyllë mediat…
Po çdo diktator ka fatin e vet dhe nëse ai ka zgjedhur fatin e diktatorit, le ta çojë deri në fund”, tha Abilekaj. (TemA)




